Një burrë vret një person dhe plagos një tjetër me hanxhar në dy kisha në Spanjë - NACIONALE

Një burrë vret një person dhe plagos një tjetër me hanxhar në dy kisha në Spanjë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një person ka vdekur dhe të paktën një tjetër është lënduar, pasi një burrë i armatosur me hanxhar kreu sulme në dy kisha në pjesën jugore të Spanjës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dyshuari fillimisht hyri në kishën “San Isidro” në Algeciras, ku prifti u sulmua dhe u lëndua seriozisht, raporton televizioni BBC.

Sulmuesi i dyshuar pastaj shkoi në një kishë tjetër, ku një punëtor u ther për vdekje. I dyshuari u çarmatos dhe u arrestua pak më vonë.

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet: “Pak pas orës 19:00 këtë mbrëmje, një burrë hyri në kishën e San Isidro-s në Algeciras, ku, i armatosur me një hanxhar, e sulmoi priftin, duke e lënë seriozisht të plagosur.”

“Më pas, ai hyri në kishën Uestra Senora de La Palma në të cilën, pas shkaktimit të dëmeve, sulmoi një punëtor”- thuhet më tej në deklaratë.

Ministria njoftoi se viktima fillimisht kishte arritur që të dilte nga kisha, por u sulmua përsëri dhe u ther për vdekje.

“Disa momente më vonë, (sulmuesi) u çarmatos dhe tash për tash është në ndalim policor”- tha Ministria e Brendshme. Hetuesit po e trajtojnë këtë incident si rast të lidhur me terror.

Incidenti u dënua nga komuniteti lokal mysliman në Algeciras, duke e cilësuar atë si “sulm brutal e të egër”.

Algeciras është port i ngarkuar që e lidh Gadishullin Iberik me Marokun dhe me enklavën spanjolle në Afrikë, Ceuta.

Lajme të ngjashme