Një sulmuesi në Spanjë i plotësohet dëshira – mbytet me injeksion pa dalë në gjyq - NACIONALE

Një sulmuesi në Spanjë i plotësohet dëshira – mbytet me injeksion pa dalë në gjyq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë në Spanjë, i cili ishte paralizuar nga të shtënat e policisë, pasi i kishte sulmuar kolegët e tij, është ekzekutuar me injeksion në burg para se të gjykohej për rastin.

Marin Eugen Sabau, 46 vjeç, kishte plagosur tre kolegë dhe një polic në qytetin verilindor spanjoll, Tarragona, në dhjetor të vitit të kaluar.

Pasi ishte qëlluar në shpinë dhe kishte mbetur pjesërisht i paralizuar, ai kishte kërkuar që të ekzekutohej me injeksion e të mos përballej me proces gjyqësor.

Gjykatat e miratuan kërkesën e tij pavarësisht kundërshtimit nga viktimat e sulmit, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Sabau, që kishte prejardhje nga Rumania, e kreu sulmin në kompaninë e shërbimeve të sigurisë ku punonte.

Ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe ishte ngujuar në një shtëpi të mbushur me armë të ndryshme. Pasi kishte plagosur një polic, ishte rrethuar nga forcat e sigurisë, të cilat e kishin qëlluar disa herë me armë.

Sulmuesit i ishte amputuar një këmbë dhe kishte mbetur pa aftësinë e lëvizjes. Ai ka thënë se lëndimet e kanë lënë me dhimbje kronike dhe autoritetet kishin vlerësuar se i dyshuari i plotësonte kriteret për të kërkuar vdekje të asistuar.

Një ligj i miratuar vitin e kaluar në Spanjë thotë se të rriturit me probleme serioze e të pashërueshme, që shkaktojnë “vuajtje të papërballueshme”, mund të zgjedhin që t’i japin fund jetës.

Megjithatë, viktimat e sulmit e kishin kundërshtuar kërkesën e sulmuesit, duke kërkuar që Sabau të dilte para drejtësisë.

Sidoqoftë, një gjykatë në Tarragona vendosi që është e drejtë themelore e këtij personi që ta kërkonte eutanazinë, duke i marrë parasysh rrethanat dhe vlerësoi se sistemi i drejtësisë nuk kishte të drejtë të ndërhynte në kërkesën e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme