Nis mbarë legjislatura e dhjetë, pozitë dhe opozitë njëzëri për ratifikimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare - NACIONALE

Nis mbarë legjislatura e dhjetë, pozitë dhe opozitë njëzëri për ratifikimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare

2 javë më parë

nga NACIONALE

Legjislatura e dhjetë ka nisur mbarë. Pas shumë përplasje në legjislaturën e kaluar, e cila zgjati vetëm disa muaj, pozita dhe opozita janë pajtuar për disa çështje.

Ata kanë gjetur gjuhen e përbashkët për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Vetëm për pak minuta, pozita dhe opozita pa asnjë kundërshtim kanë ratifikuar pesë marrëveshje ndërkombëtare.

Marrëveshja e parë që është ratifikuar është Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.

Kjo marrëveshje është ratifikuar 104 vota për, asnjë kundër dhe 5 abstenime.

Marrëveshja para deputetëve është prezantuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në adresimin e tij, ai ka thënë se miratimin e kësaj marrëveshje Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro.

“Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pa është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”, ka thënë Murati.

Më pas, ai ka prezantuar edhe marrëveshjen e dytë para deputetëve.

Me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime është miratuar Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore).

Tutje deputetët e Kuvendit i kanë dhënë votën edhe marrëveshjes së tretë ndërkombëtare në seancën e sotme.

Me 98 për, asnjë kundër dhe 4 abstenime Kuvendi ka miratuar Projektligjit nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit.

Pas prezantimit para deputetëve nga ministri Murati, Kuvendin e ka ratifikuar edhe marrëveshjen e katërt.

Me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është ratifikuar Projektligjit nr. 10/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë.

Në fund, deputet kanë dhënë votën e tyre edhe për marrëveshjen e pestë.

Me 102 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar Projektligjit nr. 10/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin.

Lajme të ngjashme