Policia interviston drejtorët serbë të shkollave në veri që s’liruan objektet për referendumin e 21 prillit
4 drejtorë të shkollave që s'liruan objektet për referendumin janë intervistuar, e 9 të tjerë pritet të intervistohen ditëve në vijim – me urdhër të prokurorisë.
Kështu konfirmoi Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani në një përgjigje për Nacionalen.
Kjo mbi bazën e dyshimit të veprës penale “Pengim i Procesit Zgjedhor”, na thanë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Për se është fjala? Në zgjedhjet (referendumin) për çvotimin e katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banura me shumicë serbe që u mbajt më 21 prill të këtij viti, 33 shkolla në veri refuzuan të lejojnë mbajtjen e procesit zgjedhor në premisat shkollore.
Ndërsa vetëm këto ditë, Komisioni Qendror Zgjedhor i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit saktësisht për këtë çështje.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të adresuar qasjen refuzuese të drejtorëve të shkollave për procesin e votimit të 21 prillit. Në këtë drejtim, KQZ i ka përcjellur një njoftim Prokurorisë së Shtetit me të dhëna të detajuara”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për Nacionale.
Edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë na konfirmuan se tashmë rasti është hapur për pengim të procesit zgjedhor dhe se kanë autorizuar policinë kosovare të nisin intervistimin e të dyshuarve.
“Po kemi autorizuar policine; kjo për shkak te dyshimit te vepres penale pengim te procesit zgjedhor”, na tha Valon Preteni.
Çfarë kishte nodhur?
Kosova kishte mbajtur zgjedhje në veri – njëherë me arsyetimin se për çështje sigurie – në kontenjerë; proces ky që kishte sjellur kryetarët aktualë me legjitimitet skajshmërisht të mangët.
Ndërsa për herën tjetër – atë të çvotimit të tyre – shkollat nuk u ishin ofruar KQZ-së për procesin zgjedhor, dhe atë duke u thirrur në autonominë e supozuar të shkollave mbi përdorimin e premisave të tyre për çështje arsimi.
“Në komunën e Zubin Potokut, nga 12 qendra të votimit të miratuara, dy pre tyre janë të qasshme, por 10 të tjerat drejtorët e shkollave kane refuzuar t’i japin për përdorim. Në komunën e Zveçanit, nga gjashtë qendra të votimit të miratuara, dy prej tyre janë të qasshme dhe katër të tjera kanë refuzuar. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut janë shtatë qendra, tri prej tyre janë të qasshme, ndërsa katër të tjera kanë refuzuar”, njoftonte asokohe Burim Ahmetaj, kreu i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Referendumi qe mbajtur sërish në kushte vendvotimesh alternartive – praktikisht kontenjerë sërish – dhe ishte bojkotuar në masë nga komuniteti serb në veri; gjë që konfirmoi qëndrimin e kryetarëve shqiptarë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në nivel lokal/vendi deri në vjeshtën e vitit 2025.
Kritikat kishin qenë të mëdha ku Qeveria e Kosovës – ndonëse artikulonte shtrimin e sovranitetit të gjithëmbarshëm – se s’ia kishte dalur të siguronte shkollat në veri që procesi zgjedhor (referendumi) në ambiente të përshatshme.
Për çështjen e intervistimit të drejtorëve nga Policia e Kosovës akterë lokalë politikë në veri kanë reaguar në mantrën e zakonshme se “po provohet të instalohet frikë në mesin e popullatës”.