Ngjarjet dramatike në veri, emisari gjerman udhëton drejt Kosovës
I dërguari i posaçëm i qeverisë federale për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është nisur në drejtim të Kosovës, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
Kjo në dritën e zhvillimeve dramatike në fshatin Banjskë të Zveçanit ku grupe të armatosura rëndë kanë kryer sulm mbi policët kosovarë, duke vrarë një dhe plagosur dy të tjerë.
“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendimet tona janë me familjen e oficerit të vrarë dhe të plagosurit rëndë. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Manuel Sarrazin udhëton për në Kosovë sot”, ka njoftuar ministria e Jashtme gjermane.