Ngjarja e vitit: Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit - NACIONALE

Ngjarja e vitit: Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 24 shtator të vitit 2023, e gjithë Kosova u zgjua nga një lajm i papritur, rrjedhimisht befasues. Përveç befasues, lajmi për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit ishte edhe i frikshëm. Një grup i armatosur, siç do të mësohej më vonë, i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, ishte futur i armatosur rëndë disa kilometra në brendësi të Kosovës.

Sulmi i armatosur në Banjskë, që gjerësisht në Kosovë u cilësua si sulm terrost, është ngjarja e vitit. Kjo ngjarje e shënon sulmin e parë të armatosur të këtij niveli që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ndonëse në tri vitet e fundit ka pasur mbi 100 sulme ndaj policisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës në veri të vendit. Pa dyshim, ishte momenti më i rrezikshëm i vitit 2023 dhe "pika e nadirit" e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e riktheu, së paku për disa çaste, frikën për një luftë të re.

Në krejt kompleksitetin e ngjarjes, sulmi në Banjskë ishte edhe tragjik, pasi një rreshter i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra në përballjen me grupin e Radoiçiqit. Më vonë, në ditët e para pas sulmit, me vendim të presidentes Vjosa Osmani, rreshteri Bunjaku u shpall hero i Kosovës, ndërsa Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti i ndau 50 mijë euro për familjen e heroit më të ri të vendit tonë.

Njësia Special Intervenuese (NjSI) e Policisë së Kosovës u përball me sukses me këtë sulm të armatosur, duke neutralizuar tre sulmues dhe arrestuar disa persona të tjerë, për të cilët po vazhdon gjykimi në Kosovë. Serbët e vrarë në Banjskë u nderuan në veri të Kosovës nga popullata serbe, ndërsa në Serbi u mbajt ditë zie në nderim të tyre.

Megjithatë, ende i lirë dhe krejtësisht i paprekur është Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që ka pranuar se e kishte organizuar dhe e kishte udhëhequr sulmin në Banjskë. Ai vazhdon të qëndrojë në Serbi, ndërsa mediat serbe kanë raportuar se po jeton në “Dedinje”, lagjen më luksoze të Beogradit, ku dikur jetonin edhe Titoja e Millosheviqi, dy diktatorë.

Megjithatë, Kosova ka bërë hapa drejt hetimit të grupit të Radoiçiqit. Gjatë vitit 2023, menjëherë pas sulmit në Banjskë, shteti i Kosovës ia konfiskoi Radoiçiqit vilën në veri dhe disa pasuri të tjera të luajtshme.

Në fakt, me nismën e shtetit kosovar, Radoiçiqi tashmë është pjesë e “njoftimit të kuq” të Interpol-it, ndërsa kërkesat për ekstradtim të tij nga ana e autoriteteve në Prishtinë vazhdojnë ende të bëhen publikisht.

Në këtë kontekst, Kosova ka vazhduar që t'i identifikojë pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur, të cilët paraqesin, sipas institucioneve kosovare, rrezik nacional. Përveç hetimeve të brendshme, Qeveria Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë, përfshirë presidenten Osmani, e kanë kërkuar vazhdimisht sanksionimin e Serbisë për këtë sulm.

Gjatë vitit 2023, këto kërkesa të institucioneve kosovare për sanksionim të Serbisë nuk janë përkrahur nga aleatët. Nuk dihet nëse në vitin 2024 Kosova do të arrijë që t'i bindë aleatët për sanksionimin e Serbisë, kërkesë që Kurti e përsëriti edhe në një shkrim mbi normalizimin e marrëdhënieve gjatë vitit 2024.

Megjithatë, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës vazhdimisht e kanë ngritur alarmin për sulme të tjera të mundshme në veri të vendit nga grupi i Radoiçiqit. Duke shpresuar që këto alarme për potencialitetin e sulmeve të reja të mos shndërrohen në aktualitet, Nacionale jua uron vitin e ri 2024!

Lajme të ngjashme