Nga tensionet në Komision për Arsim në takim me Kurtin, a do të ketë zgjidhje greva nga takimi i dytë me Kurtin?
Një tjetër takim me synim për ta mbyllur çështjen e grevës, e cila ka filluar tash e më shumë se tri javë.
Që nga 25 gushti, sindikalistët arsimorë dhe jo vetëm janë në grevë, për shkak të kërkesës së tyre për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Takimi i parë mes Jasharajt e kryeministrit Kurti nuk prodhoi asnjë rezultat. SBAShK, ashtu siç edhe raportoi mbrëmë Nacionale dha një tjetër version për marrëveshje, por që deri më tani nuk ka ndikuar në gjetjen e akordit mes palëve.
Por, ky akord mund të arrihet sot. Premisat janë, pasi në takim me Kurtin e Jasharajn do të jetë edhe drejtoresha e sindikatave evropiane.
Kujtojmë faktin se mëngjesi i së mërkurës, nisi me një mbledhje të Komisionit për Arsim, në zyret e Kuvendit të Kosovës.
Mbledhje kjo e cila kishte për qëllim, diskutimin e grevës..
Të ftuar në këtë Komision, ishin përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, në krye me Rrahman Jasharajn.
Ani pse në këtë komision, anëtarët do duhej të diskutonin për grevën si problem, duke anashkaluar çështjet politike, anëtarët e këtij komisioni që janë nga partia në pushtet, Vetëvendosje, kanë pasur kritika të ashpra të njëpasnjëshme ndaj kreut të kësaj sindikate Rrahman Jasharaj.
Të njëjtit, kritikuan Jasharajn si individ kryesor që po i mban peng fëmijët, për mos shkuarjen në shkolla.
Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, vlerësoi se deputetët e pozitës iu kanë bërë kërcënime sindikalistëve të arsimit.
Këtu reagoi deputeti Ardian Gola. “Ku i ofendova? Bile ai tha me kthy dinjitetin, kush ua ka humb dinjitetin”, tha ai.
Kësaj iu përgjigj Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit.
“Ju, na keni thënë analfabet. Mos e cenoni figurën e mësuesit. Plotësoni kërkesat, nuk kem nevojë kah 5 orë këtu”, tha Jasharaj.
E kryeministri Kurti kishte kritikuar Jasharajn që i tha “Ndihmom si vëlla”, por deputeti Kokaj ka lutje vëllazërore për Jasharajn që të ndalet greva.
Ai tha se ka lutje sy me sy, si vëllau me vëllaun që ta ndërpresin sot grevën.
“Është situatë drastike kam lutje sy me sy, si vëllau me vëllaun që ta ndërpresim sot grevën”, tha deputeti Kokaj.
E kjo situatë filloi të tensionohej kur deputeti i VV-së, Dimal Basha filloi ta godasë tavolinën dhe t’i drejtohej Jasharajt si përgjegjës kryesorë për situatën me grevën.
Por ky, nuk ishte tensionimi i vetëm i Bashës ndaj Jasharajt. Pas largimit të Jasharajt nga Komisioni, në hollin e Kuvendit, Basha me zë të lartë i tha atij se “I ke marrë pengë fëmijet për 100 euro”.
Ndërsa anëtarja tjetër nga VV, Arijeta Rexhepi nuk i kurseu lëvdatat për punët që i ka bërë Qeveria Kurti gjatë mandatit, për mësimdhënësit.
Përderisa edhe Ardian Gola tha se Qeveria ka bërë kompromise.
As sot Kurti nuk i kurseu akuzat ndaj Sindikatave
Përderisa SBASHK-u ishte duke raportuar në Komisionin për Arsim, lidhur më grevën, kryeministri Kurti në një deklaratë për medie , ka thënë se duhet të gjendet zgjidhje sa më parë, por ka akuzuar sërish SBASHK-un se është duke bërë shantazh.
‘’Duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë, mirëpo ne kemi bërë shumë hapa mirëpo ajo çka nuk kemi parë është pushimi i shantazhit “o kaq ose nuk shkoj në punë”. Të gjithë që marrin paga duhet të kryejnë punën meritore të pagave që marrin”, u shpreh Kurti.
Kurti gjithashtu ka thënë se kompensimi me 50 euro bëhet për t’u përballur me inflacionin e jo si zëvendësim për projektligjin për paga.
“ Për ata që nuk më kanë dëgjuar po e përsëris se kompensimi me 50 euro bëhet për t’u përballur me inflacionin e jo si zëvendësim për projektligjin për paga. Zgjidhja më e dobishme është që edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë dhe nxënësit. Kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve. I kemi paraqitur të gjitha masat e pakos së re të përballje me inflacion’’, ka thënë Kurti
Ai gjithashtu ka shtuar se me sindikatat evropiane do të ketë një takim pasdite.
