Nga ShBA-ja në Bruksel për takim me Kurtin e Vuçiq, Lajçak: I prezantuam qartë pritshmëritë tona - NACIONALE

Nga ShBA-ja në Bruksel për takim me Kurtin e Vuçiq, Lajçak: I prezantuam qartë pritshmëritë tona

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka treguar në detaje për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku thuajse në të gjitha takimet, u fol për situatën mes dy vendeve dhe tensionet në veri.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se kjo vizitë ishte shumë e rëndësishme.

“E fillova këtë javë me një vizitë në Uashington ku u përfshiva në diskutime productive me kolegë e zyrtarë rreth situatës në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta. Ka qenë shumë e rëndësishme që të jem në ShBA dhe të krahasojmë të dhënat me homologët e mi në këtë kohë sensitive.” – tha ai.

Lajçak ka treguar se me nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland dhe këshilltarin special, Derek Chollet, kanë theksuar nevojën për deeskalim të menjëhershëm në veri.

“Takova nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departmantetit të Shtetit, Derek Chollet. Ndamë vlerësimin e përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm dhe rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – u shpreh ai.

Lajçak për takimin me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, shkroi si vijon: “Po ashtu u takova me mikun tim të ndëruar, Gabriel Escobar për të ndarë mendime rreth situatës në rajon. Bashkëpunimi ynë i afërt dhe përkrahja e fuqishme nga ShBA-ja është shumë e vlerësuar”.

“Për më tepër, pata diskutime domethënëse me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë Zëvendës Këshilltarin Kryesor të Sigurisë Kombëtare Jon Finer, Drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Sloat, Senatorët Chris Van Hollen dhe Chris Murphy dhe Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare Celeste Wallander. Unë isha me fat që u takova edhe me Nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, gjatë vizitës së saj të shkurtër në Uashington. Këto diskutime u rrotulluan rreth situatës së sigurisë, hapave të nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugës përpara si në Dialog ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.” – ka thënë tutje ai.

Sa i përket takimeve të kësaj javë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Lajçak ka thënë se kishin qëllim të gjenin një rrugëdalje prej situatës.

“Nga ShBA-ja, udhëtova drejt në Bruksel për të marrë pjesë në takimet për menaxhimin e krizës me përfaqësuesin e Lartë, Borrell, presidentin Aleksandër Vuçiq e kryeministrin Albin Kurti. Qëllimi ynë ishte që të gjenim një rrugëdalje prej situatës në veri të Kosovës, e cila vazhdon të jetë shumë e tensionuar.” – u shpreh ai.

Emisari evropian tha se u bënë të qarta edhe pritshmëritë e tyre nga të dyja palët dhe se do të vazhdojnë të jenë në kontakt të ngushtë me Kosovën e Serbinë.

“Ne prezantuam pritshmëritë tona të qarta te dy palët, të fokusuar në tri elemente: 1.deeskalim, 2.zgjedhje të reja në veri, 3.rikthim në implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Ditëve në vijim, do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, derisa monitorojmë për së afërmi edhe zhvillimet në terren.” – tha ai.

Çka ndodhi në takim?

Zgjedhje të menjëhershme, sa më parë që është e mundur, kërkoi kryediplomati evropian Josep Borell, duke thënë se pas kësaj, situata mund të normalizohet.

“Zgjedhjet e hershme, zgjedhje të reja sa më shpejt qe është e mundur me pjesëmarrje të plotë, dhe pas kësaj, pasi situata të normalizohet të vazhdojnë punët në normalizim përmes te dialogut të lehtësuar nga BE. Para ca muajsh patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe me të vërtetë dukej që ishim në një drejtim të mirë për të avancuar, duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshje dhe kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – tha ai.

Borell u shpreh se ka vendosur mbi tavolinë disa propozime konkrete, ani pse s’pati takim trepalësh, por vetëm të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Pas katër orë takime, unë mendoj që të dy liderët e kuptojnë rreptësinë e situatës. Por ashiqare janë në situata të ndryshme, në qasje të ndryshme, në interpretime të ndryshme mbi shkaqet dhe pasojat dhe zgjidhjet. Në mënyrë që të përpiqemi të shkojmë përpara, unë kam vendosur propozime konkrete mbi tavolinë bazuar mbi gjendjen e lartëcekur të BE-së. Dhe lista në këtë kontekst, ne jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutimin mbi modalitetet dhe hapat si të arrijmë atje (te zgjedhjet v.j.). Ende nuk jemi aty, por së paku ne e dimë si të ecim tutje, cilat janë dallimet dhe alternativat mbi procedurat.” – deklaroi ai.

Lajme të ngjashme