Kurti kërkonte arrestimin e bandave, në marrëveshje nuk përmenden: Çfarë ndodhi me grupet kriminale në veri?
Qeveria e Kosovës është pajtuar me planin e Bashkimit Evropian për deeskalimin e situatës në veri. Është pajtuar të tërheqë 25% të Njësive Speciale. Është pajtuar të largojë kryetarët nga objektet komunale. Është pajtuar gjithashtu që të organizojë zgjedhje të reja.
Me atë që nuk e dimë nëse është pajtuar apo jo ndërlidhet me bandat kriminale atje. Ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që gjatë tërë kohës deklaronte se për largimin e Policisë në veri, duhet të largohen bandat që kanë sulmuar Policinë, KFOR-in dhe gazetarët.
Deklarata të tilla ka dhënë pothuajse çdo ditë. Nga secila vizitë që bënte teksa iu përgjigjej gazetarëve.
Por, në komunikatën e qeverisë mbrëmë për pikat e marrëveshjes në asnjë moment nuk flitet për këto banda. Nuk dihet nëse kjo temë është dakorduar në Bratislavë nga zv/kryeministri Bislimi dhe emisari Lajçak.
Në njoftimin e qeverisë tregohet se do të largohen 25% e Policisë nga objektet komunale dhe përreth, Policia bashkë me KFOR-in do ta vlerësojë situatën e sigurisë për zvogëlimin edhe më tutje të forcave të policisë, qeveria planifikon zgjedhje në veri pas stinës së verës dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizim.
Pra, nuk ka asnjë fjalë për bandat. Pushteti është lavdëruar me disa arrestime që kanë ndodhur të anëtarëve të grupeve kriminale në veri, duke theksuar se kjo betejë nuk do të ndalet. Por tash, a do të ndalet apo jo, nuk dihet pas kësaj marrëveshje.
Çfarë deklaronte Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte qenë mjaft i zëshëm për këto grupe kriminale të veriut. Thoshte që nuk mund ta largojë Policinë e Kosovës nga veriu, teksa ka banda që sulmojnë gazetarët, Policinë e KFOR-in.
Nacionale iu sjell me data disa prej deklarimeve të Kurtit për grupet kriminale, të cilat nuk zënë vend në dakordimin e qeverisë (apo njoftimin e tyre):
1 qershor 2023: “Unë natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e [pranisë së] Policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave [në veri], atëherë kur të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilat e adhurojnë Millosheviqin e Putinin”
“Ato, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën”
2 qershor 2023: “Unë jam për një situatë normale, ku edhe nëpër komunat në veri të Kosovës nuk ka më shumë policë sesa në komunat tjera. Mirëpo, ka punë të arrijmë në atë pikë. Një herë duhet të largohen për në Serbi, ose të arrestohen në Kosovë, ose edhe nga forcat ndërkombëtare, sepse mund të kenë shkuar edhe në vende të treta. Ata ekstremistë nacional-shovinistë kriminelë të strukturave ilegale e paralele. Pra, një herë ata duhet të largohen ose të burgosen, e vetëm më pastaj ne mund ta konsiderojmë seriozisht zvogëlimin e njësisë speciale dhe pjesëtarëve të saj në komuna drejt normalizimit të plotë”.
4 qershor 2023: “Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët tanë atëherë kujt duhet t’i shërbejnë ato. Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë e qëndrojë. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”.
11 qershor 2023: “Rruga përpara për qetësim dhe për normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave”.
Deklarata të tilla kanë qenë pothuajse të përditshme nga kryeministri.
