Nga familja Jashari tek hartat e fshatit Zllash – çfarë tha avokati i Salih Mustafës në seancë?
Rezistenca e familjes Jashari. Raportet e OSBE-së për dëbimin e shqiptarëve. Vuajtjet e Kosovës deri në çlirim. Këto ishin vetëm disa nga pikat kryesore që i ngriti avokati i Salih Mustafës gjatë dhënies së fjalës mbrojtëse në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në fjalën e tij përmbyllëse, para se të vazhdohet nesër me dëshmitarin e parë të propozuar nga mbrojtja, avokati i Salih Mustafës Julius Von Bone ka thënë se klienti i tij duhet të shpallet i pafajshëm dhe se nuk e ka kryer asnjë krim që i ngarkohet në aktakuzë.
Fjalën e tij Von Bone e nisi me disa nga raportet e OSBE-së ku sipas tij paraqitet dëbimi me forcë, që i është bërë popullit të Kosovës në periudhën ndërmjet 24 mars deri me 2 prill 1999.
Pas kësaj, ai foli për rezistencën e familjes Jashari në Prekaz.
“Një lëvizje paqësore që mbulon periudhën nga viti 1990 deri në 1998 dhe lëvizja e rezistencës në të dytën, kjo e fundit mori stafetën nga e para në momentin e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes së zgjeruar të tij, kryesisht fëmijë dhe gra. Kjo nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi. Forcat serbe mendonin se me vrasjen e gjithë familjes Jashari rezistenca e popullit kosovar do të kishte marrë një goditje përfundimtare, aq sa do të përfundonte edhe rezistenca, por që ndodhi e kundërta”, shtoi avokati i Mustafës.
Sa i përket periudhës kohore kur pretendohet se Salih Mustafa i ka kryer krimet në aktakuzë, si dhe lokacioneve specifike Van Bone, paraqiti para Gjykatës disa harta për të sqaruar kontekstin kohor dhe gjeografik që ka zona.
“Krimet e pretenduara thuhet se kanë ndodhur në zonën e Zllashit nga 1 deri me 19 prill 1999. Nuk ka përcaktim kufijsh në aktakuzë për Zllashin. Aktakuza përqendrohet në një shtëpi, të cilën ZPS-ja e quan kompleks. Vendet që mbrojtja do të diskutojë gjatë çështjes së mbrojtjes do të gjenden në zona të ndryshme. Vendet dhe distancat ndërmjet tyre janë ç’orientuese. Në hartë mund t’i gjeni, gjithashtu mund të matësh edhe distancat nga njëri vend tek tjetri, megjithatë në jetën reale dhe periudhën e vitit 1999, këto vende ishin shumë të vështira të arriheshin”, shtoi Bone.

Pjesën e dytë të seancës, avokati i Mustafës e filloi me fjalët shfajësuese ndaj klientit të tij, duke thënë se Salih Mustafa është i pafajshëm dhe nuk ka kryer asnjë krim. Për këtë ai tha se prokuroria nuk mund ta provojë fajësinë, përtej dyshimit të bazuar, ngase nuk ka prova që e vërtetojnë një gjë të tillë.
“Salih Mustafa nuk ka bërë asgjë ndaj personave që akuzohet. Ai as nuk i njeh ata. Klienti im nuk ishte pjesë e brigadës 103. Dëshmitarët që i solli ZPS-ja, as nuk e njohin Salih Mustafën, e as Mustafa ata.. ZPS-ja nuk arriti të sjellë prova për të vërtetuar jashtë dyshimit të bazuar, se z.Mustafa ka kryer krime që përfshihen në akuzë. Mbrojtja nuk ka nevojë të provojë se z.Mustafa nuk i ka kryer këto krime, megjithatë ne do t’i paraqesim provat tona” tha Bone.
Seanca vazhdoi me përplasje dhe kundërshtime ndërmjet avokatit Bone dhe prokurorit Cesary Michalzuk. Shkak për këtë u bë, një propozim i ZPS-së dorëzuar administratës së Gjykatës dje, në lidhje me dëshmitarin e parë të mbrojtës, e ku Prokurori Michalzuk tha se do të paraqiten disa fotografi dhe statuse në “facebook” të dëshmitarit, me çka kontestohet kredibiliteti i tij.
“Kemi shtuar disa artikuj dhe prova që nuk i kishim përpara. Shumica janë postime të facebook-ut dhe fotografi të nxjerra nga facebook. Sepse besojme se mund të na nevojiten, për të vlerësuar kredibilitetin e dëshmitarit të mbrojtjes. Duke pasur parasysh deklaratën e dëshmitarit të parë të mbrojtjes, kemi parë të arsyeshme që këto materiale t’i kemi në dispozicion”, tha Michalzuk.

E kjo nxiti reagimin e avokatit të Mustafës.
“Ne kundërshtojmë që ky material të nxirret kaq me vonesë, dhe mendojmë se nuk lidhet me asnjë nga faktet, rrethanat që i mbrojturi im akuzohet. Dëshmitari cfarëdo që të thotë në jetën e tij private, nuk ka ndonjë rëndësi për mbrojtjen, për prokurorinë dhe as për gjykatën. Pra e kundërshtojmë këtë material, i cili po na paraqitet në minutën e fundit. Na ka ndodhur edhe me parë të paraqiten materiale në minutën e fundit. Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit, sepse ne nuk mund të përgatitemi në minutën e fundit për këto material”, kundërshtoi Bone.
Pas kësaj, fjalën e mori kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia duke i dhënë epilog këtij kontesti mes prokurorit e avokatit: “Paneli vendos që ZPS-ja mund t’a propozoj një material të tillë dhe se për gjykatën është e pranueshme, sepse ZPS-ja ka të drejtë që ta kontestoj kredibilitetin e dëshmitarëve dhe nëse mbrotja ka nevojë për kohë shtesë për tu përgatitur në lidhje me këto materiale ne do t’i japim kohë të mjaftueshme”, u shpreh gjyqtarja Mappie.
Me këtë edhe u përmbyll seanca e sotme, për të vazhduar nesër nga ora 9 e 30, e ku pritet të paraqitet dëshmitari i parë i mbrojtjes.