Netanyahu luan me fatin e Izraelit, del kundër Bidenit për reformën në drejtësi - NACIONALE

Netanyahu luan me fatin e Izraelit, del kundër Bidenit për reformën në drejtësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shpërfillur thirrjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për t’u larguar nga ndryshimet e propozuara në sistemin e drejtësisë, të cilat kanë nxitur protesta masive në Izrael. Netanyahu tha se Izraeli nuk merr vendime duke u mbështetur në presionin nga jashtë, përfshirë miqtë më të mirë.

Të hënën, Netanyahu e shtyu propozimin, pasi një numër i madh i njerëzve dolën rrugëve për të protestues. Shtëpia e Bardhë fillimisht sugjeroi se Netanyahu duhej të kërkonte kompromis, por presidenti amerikan shkoi më larg, duke pranuar pyetje nga gazetarët të martën. “Shpresoj që ai të largohet prej saj (reformës në sistemin e drejtësisë”- tha Bideni.

“Si shumë përkrahës të fuqishëm të Izraelit, unë jam shumë i shqetësuar... Ata nuk mund të vazhdojnë kësaj rruge dhe unë disi e kam bërë këtë të qartë”- u tha Bideni gazetarëve gjatë një vizite në Karolinën Veriore, raporton gazeta "The Guardian".

“Shpresoj që kryeministri do të veprojë në një mënyrë që do të mundohet të përpunojë njëfarë kompromisi të sinqertë, por kjo mbetet të shihet”- tha presidenti amerikan, duke shtuar se ai nuk është duke e shqyrtuar ftesën që Netanyahu ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë, të paktën “jo në aspektin afatshkurtër”. Më parë, ambasadori amerikan në Izrael, Tom Nides, kishte thënë në një radio lokale se Netanyahu pritej të ftohej “sa më shpejt që agjendat e tyre të mund të bashkërendoheshin”.

Netanyahu u kundërpërgjigj shpejt me një deklaratë, duke thënë: “Izraeli është vend sovran që i merr vendimet e veta përmes vullnetit të popullit të tij dhe jo duke u bazuar në presionet nga jashtë, përfshirë miqtë më të mirë.”

“E kam njohur presidentin Biden për më shumë se 40 vjet dhe unë e çmoj përkushtimin e tij të gjatë ndaj Izraelit”- tha Netanyahu, duke shtuar se aleanca Izrael – ShBA është e pathyeshme “dhe gjithmonë i tejkalon mosmarrëveshjet rastësore mes nesh”.

“Administrata ime është e përkushtuar ndaj fuqizimit të demokracisë përmes vendosjes së baraspeshës së duhur mes tri degëve të qeverisë, të cilën ne po përpiqemi ta arrijmë përmes një konsensusi të gjerë”- thuhet më tej në deklaratë.

Të martën në mbrëmje, qeveria e së djathtës ekstreme dhe partitë opozitare e mbajtën takimin e parë për propozimet rreth ndryshimeve në sistemin e drejtësisë. “Pas rreth një ore e gjysmë, takimi, i cili u zhvillua në frymë pozitive, përfundoi. Nesër, presidenti Isaac Kerzog do të vazhdojë një varg takimesh”- njoftoi zyra e presidentit izraelit.

Lajme të ngjashme