Nesër del raporti për Urën e Ibrit, KFOR-i s’i ndërron hiç fjalët – Çka dihet deri tash?
Edhe këtë të hënë përvëluese vere molerë vullnetarë janë duke lyer Urën e Ibrit poshtë e lartë. Mbishkrime e grafite nën urë që qëndronin thuajse si të gdhendura në gurë janë shlyerë me ngjyrë të bardhë përmbi.
Karabinierët italianë, tre patrolla, qëndrojnë të stacionuar në pjesën fundore të Urës së Ibrit, të hapur për kalimtarë e të mbyllur për automjete me bllokadë betoni.
Qeveria e Kosovës nesër pranon raportin për vlerësimin e qëndrueshmërisë teknike të Urës së Ibrit, proces ky i nisur si pararendës i hapjes së kësaj ure që ndan administrativisht Mitrovicën në dysh, në pjesën e banuar me shumicë serbe dhe atë në jug shqiptare.
“Nesër del raporti. Na e dërgon kompania, e na (Ministria) e publikojmë”, tha Durmishi për mediumin “Kallxo.com”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svçela, vendimin e hapjes së Urës së Ibrit e ka quajtur “çështje të mbyllur, vendim të marrë”; dhe se krejt çka pritet për ta hapur atë është ai raport vlerësimi teknik i ekspertëve.
KFOR-i, edhe sot si çdo ditë tjetër, s’ka dhënë asnjë indikacion zhvendosjeje të prezencës së tyrenë Urë të Ibrit, prezencë që madje kanë nisur ta theksojnë edhe tekstualisht si “prani fikse”; i.e: të stacionuar.
Në fjalët e tyre, hapja e Urës së Ibrit “është vendim për t’u marrë në kuadër të dialogut” për çka qeveria kosovare e refuzon në plotni, duke thënë se “ai vendim është marrë më 2016” (Sveçla, Aliu).
“Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht”, ka thënë KFOR-i përsëri, në një përgjigje me shkrim për “Kohën Ditore”.
“Nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë që buron nga OKB-ja”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.
E tha sërish atë që “kurrë nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik” njëjtë si ditë më parë pyetur nga Radio Evropa e Lirë se çka nëse kërkohet zhvendosja e tyre nga pozicioni i stacionuar i tyre.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hiç më larg se dje u shpreh se më 14-15 gusht – pa ofruar ndonjë bazë për ato pretendime – do të synohet “dhunshëm hapja e urës”.
Por, Vuçiq – për të dytën herë – tha se pret që KFOR-i “nuk do ta lejojë”.
“Më 14 apo 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës (së Ibrit)...Më lejoni t’u them menjëherë se nuk do të funksionojë, dhe se kemi respekt për KFOR-in dhe besojmë se do ta kryejë punën e vetë”, ka thënë ai.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjithashtu duke folur rreth Urës së Ibrit dje në Kosovapress, tha se ajo çështje ëshët gjë e mbyllur dhe se për të ka marrëveshje në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Ajo është çështje politike në të cilën ne si ministri jemi të përfshirë në aspektin teknik të saj. Sa i përket aspektit teknik, është bërë shqyrtimi teknik i urës dhe mbetet të marrim përgjigje. Unë mendoj që në aspektin teknik është, po flas paraprakisht nuk shohim që ka ndonjë problem”, tha ai.
“Por, megjithatë shqyrtimet do të japin rezultatet e veta në aspektin teknik të funksionimit të urës. Marrëveshja politike ekziston shumë herë dhe është dashur të hapet. Nuk ka ndonjë arsye të mos hapet, urat bashkojnë njerëzit”, thotë Aliu.