Nervoza e Kusari-Lilës, pica e Armend Mujës, dostat: Qysh po shkon debati parlamentar në Kuvend?
Në Kuvendin e Kosovës po vijon edhe më tej debati parlamentar pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Një shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes shumë e nervozuar, “lirimi” i deputetit Armend Muja nga paraburgimi, dostat që i përmendi Ramush Haradinaj. Qysh po shkon kjo seancë?
Më pak se 24 orë prej kur parashihej të mbahej debati parlamentar për arrestimin e Nagip Krasniqit, bordi i KEK-ut vendosi që ta pezullojë këtë të fundit nga kjo detyrë.
Në vend të tij, u emërua ushtrues detyre Përparim Kabashi. Megjithatë, sot përveç Krasniqit, në Kuvend u përmenden edhe shumë çështje të tjera.
Çka u tha?
Një prej deputeteve të para që foli, ishte Mimoza Kusari-Lila. Dhe, ajo foli ashpër, dukej mjaft e nervozuar.
Kjo e fundit në fjalën e saj ka pretenduar se opozita po mundohet të shfrytëzojë “ndikimin që kanë në prokurori”.
Ajo madje, me ironi ka deklaruar se “i propozon opozitës që ta bëjë edhe një mocion, e Krasniqi të dërgohet duarlidhur në Kuvend”.
“Për ta realizuar këtë skenar, i propozoj opozitës ta bëjë edhe një mocion, e Nagip Krasniqi ashtu duar lidhur, të cillët këtu në sallën e Kuvendit, siç e nxorrën nga Gjykata. E të pyetet për të gjitha aktivitetet e prokurorimit, gjatë një vit e gjysmë sa ishte në atë pozitë.” – u shpreh Kusari-Lila.
Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka çuditur me një pyetje për opozitën, që kishte të bënte me detajet e kontratave për ndërmarrje publike, që lehtësisht, gjenden në faqen “E-Prokurorimi”.
“Por, ajo duket të jetë interesuar edhe për mënyrën se si opozita po e mer vesh se kush po i fiton tenderët në KEK Disave nga ju dua t’ju pyes pse ju kaq rrallë keni folë për politikat, e aq shpesh keni ditur detaje e keni ngritur çështje në lidhje me tendera në KEK. Kur u shpall, kush e fitoi, kush është pronar. Desha t’ju pyes pse ju i dinit kaq në detaje këto informata, pse po i përcillni me sukses. Unë këtu kam jetuar, ju njoh, ju njohim të gjithë, andaj nuk ka nevojë për përgjigje këtu.” – u shpreh ajo.
Debati Haxhiu-Haradinaj
Fillimisht, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu akuzoi kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj se e ka kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj.
Ai ka thënë se ministrja Haxhiu është prej njerëz të ngushtë të kryeministrit Albin Kurti, derisa e përmendi edhe fjalën “dosta”.
“Gjatë fjalimit të par timin isha i penguar prej ministres, kjo është zonjë dhe më vjen keq të përdor ndonjë fjalor. Megjithatë, vazhdimisht jam i penguar prej zonjën ministre pas shpine. E pranoj kur flet në foltore dhe faleminderit për ato që i the. Unë kam vetëm diçka me thënë, të nderuar deputet, Albin Kurti me vetëdije ka krijuar modelin e korrupsionit: lidhjeve e shkurtet e dostave. Dhe në këta dosta është edhe kjo ministrja dhe janë këta që ulen këtu, jo ndoshta të gjithë, por ministrja është një prej dostave dhe i kanë dosta nëpër krejt institucionet vendimmarrëse financiare.” - ka thënë Haradinaj.
Pica e Armend Mujës
Opozita e pozita vazhduan me akuza ndaj njëra-tjetres, derisa një deklaratë e deputetit Armend Muja duket se e nervozoi shumë deputetin Ferat Shala, pasi ia përmendi disa familjarë për të cilët thotë se janë të punësuar nëpër institucione të ndryshme të vendit.
Shala në përgjigjen e tij ka thënë se nuk do të replikojë me deputetin Muja, por me bashëkëpartiakun e tij, Bekim Haxhiu.
Për këtë të fundit, deklaroi se "e ka nxjerrë" nga burgu Mujën, kur ishte arrestuar për korrupsion.
Madje, Shala ka përmendur edhe një picë të cilën thotë se Haxhiu ia ka dërguar Mujës në paraburgim.
Kam nevojë me repliku me Bekim Haxhiun. Kur është arrestu për korrupsion (Armend Muja), në burg i ka ardhë keq, ia ka qu një picë në stacion të policisë. T’u lypë me i akreditu universitetet, ndaj kam replikë me Bekimin se ta ka pru picën dhe të ka nxjerrë prej burgut.” – tha ai.

