Nenad Canak: Çdo fjalë e pamatur "ndez fitilin e luftës" - NACIONALE

Nenad Canak: Çdo fjalë e pamatur "ndez fitilin e luftës"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) nuk po normalizon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe e ardhmja e këtyre shteteve si anëtare të BE-së duket e largët. Ndërkohë që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vetëm sa e rriti tokën e pëlleshme për nacionalizëm në Kosovë dhe sidomos në Serbi. Por, politikani serb Nenad Čanak, nuk lëkundet dhe kërkon asgjë më pak se “heqje kufijsh” për Ballkanin Perëndimor.

Nenad Čanak (62) bëri bujë të madhe verën e vitit të kaluar kur vizitoi varrezat e Mejës në Gjakovë, ku më 27 dhe 28 prill 1999 ishin vrarë 377 civilë shqiptarë.

“Të gjitha nënat në botë qajnë për fëmijët e tyre në të njëjtën gjuhë,” – kishte shkruar ai në serbisht pas asaj vizite, e për të cilën do të sulmohej ashpër në Serbi.

Pak minuta pasi ia dorëzova pyetjet në serbisht – të përkthyera nga përkthyesi i Nacionales – Čanak më telefonoi dhe nisi të fliste në gjuhën e tij amë duke menduar se po e kuptoja. Asnjë fjalë s’e merrja vesh. Ky ishte, sidoqoftë, një kufi gjuhësor i kapërcyeshëm, pasi ai fliste fort rrjedhshëm në anglisht. Por, a kapërcehen kufijtë tjerë mes Kosovës dhe Serbisë? Čanak është i pasigurt për atë që do të ndodh por krejtësisht i sigurt për atë që kërkon.

Në këtë intervistë, z. Čanak flet për luftën në Ukrainë dhe ndikimin në Ballkanin Perëndimor duke thënë se “...çdo fjalë e thënë mund të ndezë fitilin e kësaj fuçie baruti.” Po ashtu, ai flet edhe për vështirësinë e pozicionit të Serbisë në këtë rrethanë, me Vuçiqin që bëhet gati për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, negociatat e deritashme, dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Nacionale:

Z. Čanak, së pari dua t'ju pyes mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë. A mendoni se do të ketë ndonjë ndryshim dramatik politik në rajonin që i përkasim (Ballkanin Perëndimor) për shkak të këtyre zhvillimeve?

Nenad Čanak:

Gjëja e fundit që i duhet Ballkanit Perëndimor janë trazirat dramatike politike dhe tensionet e reja. Tani, ndoshta më shumë se kurrë, është e nevojshme që të ruhet kokëftohtësia, duke qenë të vetëdijshëm se çdo fjalë e thënë mund të ndezë fitilin e kësaj fuçie baruti. Duhet të jemi gjithashtu të vetëdijshëm se shumë njerëz janë të interesuar (dhe regjimi i Putinit është sigurisht në vend të parë, por jo i vetmi) që më në fund ta shfrytëzojnë rrjetin që ata kanë thurur në këtë rajon për kusuritjet dhe lojërat e tyre gjeostrategjike. Nga njëra anë është e nevojshme urtësia e madhe e politikanëve e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mos iu dorëzuar lojës së nervave dhe provokimeve të inskenuara, ndërsa nga ana tjetër nevojitet ndihma e Evropës. Ilaçi më i mirë për këtë pjesë është të mos ekzistojnë fare kufijtë. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor së shpejti bëhen pjesë e familjes së madhe të BE-së, kjo do të zvogëlojë ndjeshëm gjasat që fatkeqësia e viteve 1990 të kthehet në këto anë. Ajo që tani do të ishte ndryshe, është se raketat ruse tani do të vendoseshin në oborre të shtëpive.

Nacionale:

Si e vlerësoni qëndrimin e Serbisë për këtë çështje dhe a besoni se mund të dobësohet pozicioni i saj në negociatat me Kosovën në Bruksel?

Nenad Čanak:

Pozicioni i Serbisë është padyshim i vështirë, sepse është i ndarë mes varësisë energjetike nga Rusia, të cilën na e solli regjimi i Vojisllav Koshtunicës, pastaj mitit të "Putinit serb" në të cilin besojnë një numër i madh qytetarësh të ndikuar nga mediat pro-ruse, dhe nga ana tjetër, dëshirës për një vend në shoqërinë e vendeve të zhvilluara evropiane. Përveç kësaj, Serbia gjendet në mes të një fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Jam i bindur se politikanët e përgjegjshëm në rajon e kuptojnë mirë se sa e vështirë është të balancohesh në atë teh të hollë dhe se do të jenë të kujdesshëm që me veprimet e tyre të mos kontribuojnë në krijimin e tensioneve të reja. Mendoj se njerëzit si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë janë të lodhur nga tensioni. Nëse Bashkimi Evropian nuk e kupton se sa e rëndësishme është zbutja e kufijve sa më shpejt që është e mundur, do të përfundojmë në një situatë ku këto negociata nuk do të jenë më të rëndësishme për të gjithë ne, sepse e gjithë rinia jonë do të shpërngulet në vendet e BE-së.

Nacionale:

A keni ndonjë qëndrim sa i përket këtyre negociatave të zhvilluara deri tash me Serbinë?

Nenad Čanak:

Kur flamujt shpalosen, e gjithë vëmendja është te boria.

Nëse i trajtoni negociatat si një luftë midis të gjitha palëve, nuk ka rrugë të mesme dhe zgjidhje të mira. Prandaj mendoj se prania e intelektualëve të pavarur do t'i ndihmonte këto negociata. Ju e dini që unë kam qenë në Kosovë kohët e fundit dhe isha mjaft i sulmuar ngase theksova se duhet dëgjuar dhe kuptuar palën tjetër. Po, jam i shqetësuar për fatin e të gjithë të zhdukurve, pa dallim kombësie. Dhe, po, isha në varrezat e Mejës dhe fola për këtë çështje, siç fola edhe për jetën e vështirë të popullatës shqiptare në Kosovë e Metohi në vitet 1980 dhe 1990 të shekullit të kaluar. Unë e di shumë mirë se në Kosovë ka intelektualë që janë në gjendje të flasin, le të themi, për "Shtëpinë e Verdhë", dhe të kuptojnë shqetësimet dhe vuajtjet e popullatës serbe dhe të popullatës tjetër joshqiptare. Do të ishte shumë e rëndësishme dhe domethënëse të dëgjohet edhe zëri i tyre.

Nacionale:

Kryeministri i Kosovës ka kërkuar në Bruksel që Kosova dhe Serbia të mos sulmojnë njëra-tjetrën. A e shihni të arsyeshme këtë kërkesë?

Nenad Čanak:

Nuk e di se çfarë ka dashur të thotë me këtë, por parimisht unë gjithmonë jam për të mos sulmuar.

Nacionale:

Ne në Kosovë po i frikësohemi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër që edhe partnerët e mëdhenj si Amerika e BE-ja po kërkojnë që ta formojmë atë. Çka mendoni se duhet të bëjë Kosova?

Nenad Čanak:

Zgjidhja e padhimbshme është edhe më pak e mundshme. Prishtina dhe Beogradi, të mos kërkojnë ndihmë nga partnerët evropianë për të negociuar për atë se kujt - çka i takon, por të kërkojnë ndihmë për hyrje të përshpejtuar në BE.

Lajme të ngjashme