Nën fasadën e patundshmërive, Kurti e Bislimi s'e ndalin narrativën e "rritjes së investimeve të huaja direkte"
Fillimisht kryeministri Albin Kurti dhe më pas zëvendësi i tij Besnik Bislimi, të dy – nën fasadën e patundshmërive – po deklarojnë se Kosova është duke shënuar progres në investimet e huaja direkte. Opozita, nga ana tjetër, nuk po e blen narrativën e rritjes së tyre si tërësi, nën argumentin e përqendrimit të investimeve vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme, të cilat, sipas tyre, po ndikojnë në vlerën totale.
Ndonëse vetë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit kishte konstatuar se investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë mbeten të kufizuara, Bislimi deklaroi së fundi se Kosova krenohet me investimet e huaja direkte më të larta në të gjithë rajonin, në një takim me një përfaqësueses të Ekipit Ekonomik Gjerman, Ricardo Giucci.
“...rritje si asnjëherë më parë si investimet e huaja direkte të cilat janë tashmë edhe më të lartat në rajon”, tha ndër të tjera Bislimi.
Berat Rukiqi, anëtar i Lidhjes Demokratike, tha për Nacionalen se narrativa e qeverisë ka të bëjë më shumë me "propagandë" sesa një interpretim të drejtë të fakteve.
Sipas tij, pjesa më e madhe e këtyre investimeve është e përqëndruar në patundshmëri.
“Me gjasë, ngjashëm si kryeministri dhe secili zyrtar i kësaj qeverie do të vazhdojë deri në fund të këtij mandati – në mungesë të rezultatëve të prekshme në ekonomi – të propagandojë me vlerësime dhe statistika të njëanshme, të interpretuara pjesërisht apo jashtë kontekstit real. Në këtë rast, në kontekstin e investimeve të huaja direkte, nëse e shikojmë se çka janë këto investime, cilat po pretendohen si sukses, mbi 80 për qind janë investime në patundshmëri. Ka një vlerë më të lartë këtë vit, jo pse është rrit numri i shtijës së patundshmërive por për shkak se një pjesë e mirë e parasë e cila nuk ka ardhë nga pandemia apo nuk është sjellë nga diaspora gjatë pandemisë për shkak të kufizimeve në lëvizje, është futur kryesisht në patundshmëri apo janë paguar patundshmëritë e blera, kryesisht në dy vitet e fundit." - tha ai.
Një tjetër faktor ndikues i rritjes së vlerës së investimeve të huaja direkte, sipas ekonomistit të LDK-së, është investimi i fitimit të bankave.
"Arsyeja e dytë e vlerës së investimeve të huaja direkte që duken më të larta është investimi i fitimit të bankave. Fitimit shtesë i cili ka ardhur nga rritja e normave të interesit dhe norma interesit është rritur për shkak të normës së inflacionit." - tha Rukiqi.
Ndërsa zyrtarët e pushtetit festojnë riinvestimin e fitimit të bankave dhe patundshmërive, Rukiqi paralajmëroi se vendi rrezikon të mbetet prapa në një peizazh rajonal konkurrues.
"Ne, duke e vetë kënaqur vetën, si një vend i izoluar dhe i dobët ekonomikisht, po harrojmë se çka po ndodh në rajon. Së fundi, Philip Moris, kompani prestigjioze amerikane vendosi të investoj në Serbi. Të gjitha vendet perëndimore dhe ato lindore janë në garë për litiumin e Serbisë. Ka projekte gjigante në energjinë e ripërtritshme, në energjinë e ripërtritshme, në infrastrukturë, në turizëm. Ka fabrika reja prodhuese në Maqedoni të Veriut. Ndërsa ne vetë kënaqemi me riinvestimin e fitimit të bankave dhe patundshmëri.” – tha ekonomisti i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi." - shtoi ai më tej.