Nën akuzat për mafi energjetike e anëtarë të kapur me drogë, Kurti nxjerr ‘flamurin kuq e zi’ e ‘Serbinë si kërcënim’
Qeveria e Kurtit po akuzohet për mafi energjetike nga opozita, pas ngritjes së çmimit të rrymës për 16.1% e hulumtimeve që nxjerrin njerëz të afërt të pushtetit që kanë kapur institucionet e energjetikës. Bizneset pritet ta bllokojnë sërish kryeqytetin javën që po vjen. Vëllau i shefit të kabinetit të Kurtit, pritet të hyj në treg të shitjes së energjisë, derisa edhe një anëtarë iu kap Vetëvendosjes nga aksioni i Prokurorisë e policisë si I dyshuar për drogë, përçka partia në pushtet fillimisht e mohoi se është anëtarë i tyre por pastaj e përjashtoi. Në këto kushte Kurti këtë të dielë, s’i ndali postimet, fillimisht me ‘flamurin kueq e zi’ për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e pastaj për Veriun. Kurti shkruante se si qeveria e tij po e mposht Serbinë në veri, duke folur edhe për kërcënimet që vijnë nga atje, teksa deputetja Hykmete Bajrami, i ka reaguar, duke shkruar se ‘mafinë energjetike e drogën, nuk mund ta mbuloj me flamurin kuq e zi e veriun’.
Çka tha Kurti?
Albin Kurti ka dalë me një shkrim të gjatë për gjendjen në veri – të cilën e jep për të stabilizuar dhe në pamundësi destabilizimi nga Serbia. Veç matanë kufirit, sipas Kurtit.
“Të tillët kanë mbetur përgjatë kufirit (Forcat e Armatosura të Serbisë dhe Policia), e sporadikisht, në pika afër kufirit, janë të pranishëm edhe pjesëtarë të organizatave terroriste e grupeve kriminale”, tha ai.
“Serbia vazhdon të paraqes kërcënim të lartë për Kosovën si shtet armiqësor që shfrytëzon mekanizmat e sigurisë, grupet terroriste dhe kriminale, dezinformacionin dhe fushatat propaganduese, kërcënimet tjera hibride, për të cenuar sigurinë dhe interesat e Kosovës”, shkroi ai.
Bajrami ia kthen Kurtit: Mafia energjetike, korrupsioni nuk lahen me ‘flamurin kuq e zi’
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ia ka kthyer deputetit të VV-së Albin Kurti, pasi ky i fundit përmes një postimi, ka listuar sipas tij, arritjet e qeverisë së tij në veriun e vendit, duke përmendur Serbinë e konfliktin.
Bajrami ka shkraur se mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rrejshëm dhe ‘flamurin kuq e zi’.
Bajrami, ia ka listuar skandalet Kurtit, sidomos ato me ‘mafinë energjetike’.
E plotë:
Mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rrejshëm dhe flamur kuq e zi.
Albin Kurti dhe partia e tij janë përfshirë thellë në mafinë e energjetike. Institucionet si ZRrE, KOSTT, KEK e të tjera janë të kapura nga familjarë dhe militantë partiakë. Si rezultat çdo ditë e më shumë po rritet varësia nga importi, duke i fryrë xhepat e EFT-së së Vuk Hamoviqit dhe GEN-it, kompani kjo që i paguan miliona euro ambasadorit të Albin Kurtit - Martin Berishaj, si dhe kompanive të tjera fiktive si NOA.
Albin Kurti bart damkën e mbi 2,100 tenderëve njëburimor, përfshirë tenderë që jepen e negociohen në grupe ËhatsApp-i. Ai vetë dhe njerëzit e tij janë fotografuar me dilerë të drogës. Ai e ka futur vendin në masa ndëshkuese nga BE-ja, ndërsa përpiqet të mbulojë dështimet e tij me retorikë boshe patriotike për katër komunat veriore, për sigurinë e të cilave garanton KFOR-i.
Përfshirja në mafinë energjetike, në korrupsion dhe lidhjet e tij me njerëz që merren me drogë nuk pastrohen me flamur kuq e zi dhe as me tregime fiktive për veriun.
Krejt e dimë çka ka ndodhur në veri.
Në emër të normalizimit të situatës një ditë, jo larg, atje do të kthehen në punë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e administratës që janë dorëhequr. E kur kjo të ndodhë ne ktheheni në kohën kur kryenegociatore ishte Edita Tahiri apo jo? Kjo do të thotë që i ke humbur Kosovës 5 vjet kohë, e ke futur vendin nën sanksione dhe i ke humbur Kosovës gjënë me të çmuar, përkrahjen aleatëve tanë më të rëndësishëm. KY ËSHTË ''REZULTATI'' YT NË VERI, ASNJË TJETËR
Edhe një herë po ta them mjaft me nacionalizma e patriotizma të rrejshëm! Ke kapur çdo institucion dhe të gjitha po kundërmojnë nga korrupsioni, sepse po punojnë për interesa të ngushta - për tregtarë të energjisë duke dëmtuar rëndë sektorin privat dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Për fund, nëse me të vertetë kemi institucione të drejtësisë dhe sigurisë, ata që nesër duhet ta ndalojnë hyrjen në ndërtesën e qeverisë sepse je në shkelje të vazhdushme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për me tepër ti Albin, kabineti yt dhe të gjithë ata që ke përreth duhet të hetoheni deri në detaje për dëmin që i keni bërë vendit duke punuar për interesa të ngushta e përfitime personale.
Një shtet s'duhet t'i dorëzohet një njeriu. Mjaft!