Negociata ‘sy më sy’, ulje çmimi e shumë dyshime për dallavere në tenderin që e la QKUK-në pa sigurim
Qendrën Klinike Universitare të Kosovës aktualisht nuk po e ruan ndonjë kompani private e sigurimit, por Policia e Kosovës. Kjo situatë ka ardhur pas anulimit të tenderit të cilin QKUK-ja ia kishte dhënë një kompanie private, tender i cili sipas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka pasur shkelje të shumta. Nacionale e ka parë vendimin, dhe sjell detaje se cilat kanë qenë dyshimet për dallavere në tenderin që e la QKUK-në pa sigurim.
1 milion e 50 mijë euro kishte qenë vlera që QKUK-ja e kishte parashikuar për kontratën e cila do t’i ofronte siguri objekteve të QKUK-së me pjesëtarë të sigurimit nga kompani private.
Ky tender, me një procedurë të negociuar, pra pa publikim të njoftimit, i ishte dhënë kompanisë “Skyfterat”. Por, fillimisht, kompania në fjalë kishte ofertuar 1 milion e 54 mijë euro. Pra, katër mijë euro më shumë se vlera që QKUK-ja e kishte të planifikuar.
Gjatë diskutimeve që u bënë fizikisht, ‘sy më sy’ me drejtuesit e QKUK-së, kompania në fjalë oferton me mbi 306 mijë euro më pak. Saktësisht me 748 mijë euro, duke dalur si kompania me çmimin më të ulët.
Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (gjykatës së tenderëve), ku janë paraqitur edhe ankesat e dy kompanive të tjera private, hedhen dyshime se kompania e ka ulur çmimin pasi ka pasur informacion paraprakisht se në këtë formë do të shpërblehej me kontratë.
Pra, çmimi që ishte më i lartë se shuma e ofruar nga QKUK-ja, ulet nga kompania “Skyfterat” dhe e njëjta kompani, e merr tenderin për sigurimin fizik të objekteve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Në këtë rast, fakti që operatori ekonomik i cili fillimisht kishtë ofertuar çmimin më të lartë përmes platformës elektronike e ka ulur çmimin për 300,000 euro pas negociatave fizike, ngre shqetesime lidhur me garantimin e konkurrencës dhe transparencës së procesit”, thuhet në njërën prej ankesave që ishin dërguar në OSHP, e të cilat bëhen publike në vendimin e këtij institucioni.
Madje, ndryshime në çmimin e kontratës kishte pasur edhe më tutje. Në njoftimin e datës 20 mars 2025 thuhet se çmimi ka qenë 748 mijë euro, kurse në njoftimin e datës 24 thuhet se çmimi ka qenë 743 mijë. Pra, pesë mijë euro më pak.
Në dy njoftime për kontratë, çmimet ishin të ndryshme, dhe kjo ishte konfirmuar edhe nga ekspertja që e ka angazhuar Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, duke shtuar se negociatat janë zhvilluar ‘sy më sy’ dhe procesverbali nuk ishte publikuar.
“Ekspertja shqyrtuese sqaron së OE Skyfterat -Live SHPK kanë ofruar çmimin me ofertë përmes E- prokurimit mbi vleren e parashikuar. Vlera e parashikuar e kontrates: 1,050.000 €, Zotimi I mjeteve në vlerë 175,000.00 €, dhe çmimi pas negociatave për OE fitues ishtë 24.03.2025 në dy Vendime të publikuar të AK-së.748,047.92€ dhe 743,047.92€ dhe kjo ngrit shqetesime në lidhje me saktesinë dhe qëndrueshmërinë e të dhënave të publikuara në Vendimet e AK tek Operatoret ekonomik për me teper pasi ka qenë me Procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe nuk ka procesverbal të ngarkuar në Platforme elektronike pasi negociatat janë zhvilluar në menyrë fizike”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.
Madje, dokumentet e procesverbalet nuk i ishin përcjellur as ekspertes së OSHP-së nga QKUK-ja.
Dyshimet për kurdisjen e tenderit shtohen sidomos pas konfirmimit nga ekspertja se njoftimi për nënshkrimin e kontratës nuk ishte publikuar tri ditë pas nënshkrimit siç parashihet me ligj, por gjashtë ditë pas nënshkrimit. Madje, QKUK-ja nuk e kishte pritur as periudhën për ankesa.
“AK nuk ka respektuar periudhën e pritjes për ankesa, duke vijuar me nënshkrimin e kontrates pa bërë publikimn e Njoftimit për dhenje si rrjedhoje dhe nuk ka espektuar periudhën e pritjes rrjedhimisht sipas mendimit të ekspertes shqyrtuese përmbushen dy kushtet e nenit 132 të LPP.• Neni 132.1.1: Mosrespektimi i kërkesës për publikimin e mëhershëm të njoftimit;• Neni 132.1.2: Nënshkrimi i kontrates gjatë periudhës së pritjes.Ekspertja shqyrtuese bazuar në sqarimin me lartë pretendimi ankimor është I bazuar”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.
Duke u bazuar në këto gjetje, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka anuluar tenderin.
“Paneli shqyrtues pas administrimit dhe vlerësimit të provave, konstatimit të plotë të gjendjes faktike, duke u mbështetur në LPP si ligj material të zbatueshëm, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, duke marrë parasysh të gjitha shkresat e lëndës dhe rekomandimet e ekspertit shqyrtues, ka gjetur se ankesa e Operatorit Ekonomik “BESA SECURITY” SH.P.K aprovohet si e bazuar. Rrjedhimisht Paneli Shqyrtues ka vendosur lidhur me aktivitetin e prokurimit me “Sigurimi Fizik i Objekteve brenda-QKUK-së”, me nr. të prokurimit: 701-25-1774-2-1-5, qe te shfuqizohet kontrata e nënshkruar nga AK. Paneli Shqyrtues duke marre parasysh përshkrimin dhe faktet e lartpërmendura dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, analizës konkrete dhe dokumentacionit të lëndës, ankesën e operatorit ekonomik e sheh si të bazuar, duke sugjeruar që kontrata e nënshkruar nga AK te shfuqizohet”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Aktualisht, U.D i drejtorit të QKUK-së, është Osman Hajdari. Ky i fundit kishte qenë asamblist i Vetëvendosjes në Prizren, dhe drejtor i spitalit atje.
Ndaj Hajdarit, kishte pasur një atentat, duke i vendosur mjet shpërthyes në veturë.
Që nga dje, siguria e QKUK-së është në ‘duart’ e Policisë së Kosovës.
“Nuk bën me manipulu ju si media dhe askush. Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar për punëtorët fizik të sigurimit. OSHP, mbas dy muajve, ka sjellë një vendim që kërkon nga QKUK me ndërpre kontratën. Si drejtor, natyrisht që jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e OShP dhe i kam dhënë afat kompanisë deri më 21 qershor. Gjatë kësaj periudhe ka bërë ankesë te gjykata komerciale, gjykata ka kërkuar prej neve me vendos masa të përkohshme dhe me padinë që ka ngritur nga kompania. Deri tani nuk kam asnjë vendim nga gjykata. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një kontratë tjetër. Kam kërkuar nga Policia që deri në një kontratë të re të qëndrojnë. Prej sot edhe në formë fizike policia ka me vendos pikat kyçe si e sheh me mbuluar. Ajo çka unë si menaxhment është që QKUK ka siguri fizike prej Policisë së Kosovës, pra nuk jemi pa sigurim fizik. Prej momentit ku nuk ka kontratë për një kompani, as unë si drejtor nuk kam të drejtë të kërkojë të qëndrojnë në QKUK. Janë vendosur Policia e Kosovës. Kontrata e re e negociuar është duke u proceduar, nesër ne kemi një kontratë të nënshkruar me një operator. Deri në momentin kur finalizohet kontrata e re, Policia e Kosovës do të sigurojë siguri në QKUK,” deklaroi Osman Hajdari ditën e djeshme.