Në sallë krejt tok, por të ndarë në qëndrime: Çka ndodhi në seancën që e bojkotoi opozita? - NACIONALE

Në sallë krejt tok, por të ndarë në qëndrime: Çka ndodhi në seancën që e bojkotoi opozita?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është duke u mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohen tri projektligje, të cilat janë kritikuar fort nga Bashkimi Evropian, shoqëria civile dhe opozita. Tashmë opozita e ka lëshuar seancën, që po mbahet në një sallë alternative e që u udhëheq nga fillimi prej Enver Hoxhës, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së. Çka ndodhi në seancë deri tani?

Në një sallë alternative, u mblodhën sot deputetët e Kuvendit të Kosovës. Përkundër që të mbledhur tok dhe krejt afër njëri-tjetrit, pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrime diametralisht të kundërta.

Në rend të ditës në seancën e sotme janë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligjit Këshillin e Pavarur të Mediave po konsiderohen si antikushtetuese.

Këto projektligje i ka kritikuar opozita. Në fjalën e tij, Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, paralajmëroi largimin nga seanca, meqenëse pozita tashmë ka vendosur t’i votojë këto projektligje.

“Duke e parë trendin e zhvillimit të seancës, që keni zgjedh të votoni kundër rekomandimeve të atyre që na kanë ndihmuar edhe të ndërtojmë, edhe të konsolidojmë këtë shtet, LDK-ja e sheh të panevojshme, të paarsyeshme që të bëhet pjesë më tutje e një seance ku votohet kundër rrugës integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian” – tha Selmanaj.

Shumica parlamentare, pra VV-ja dhe të tjerët, e rrëzuan me vota propozimin e Selmanajt për të kthyer prapa ligjin për shërbyesit civil. Përveç këtij propozimit, VV-ja refuzoi që të tërhiqet nga rendi i ditës edhe projektligji për KPM-në dhe atë për KPK-në.

Pas këtij votimi, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, në mënyrë demonstrative lëshuan sallën. Seancan po vazhdon tutje me deputetët e VV-së të pranishëm në seancë.

Në lidhje me projektligjin për AKI-në, Bekë Berisha, deputet i AAK-së dhe kryetar i Komisionit për Sigurisë të Kuvendit, ka pasur fjalë të ashpra në drejtim të Enver Dugollit, deputet i VV-së.

“Sot e kemi Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili ka një vit që është në procedurë në shqyrtim në Komisionin e Sigurisë por qëllimisht shqyrtimi i tij e ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo është bërë qëllimshëm nga kryesuesi i grupit punues, deputeti z. Enver Dugolli, të cilit ia kemi dhënë në mirëbesim me udhëheqë këtë grup. Po ashtu, nga Ambasada Amerikane është konfirmuar se përmbajtja e Projektligjit të miratuar në qeveri është në dakordim të plotë me ta si ligj fillimisht. Ndërsa, në anën tjetër z. Dugolli në mënyrë klandestine ka kontrabanduar dhe propozuar propozim-amandamente të cilat nuk janë rezultat i grupit punues por një rezultat i një rrethi të tij të brendshëm aty që edhe atë e dimë” – ka thënë deputeti Berisha.

Në këtë seancë është rikthyer në Kuvend deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka pasur një intervenim kirurgjik jashtë vendit kohë më parë. Rikthimin e Musliut në Kuvend e kanë përshëndetur me duartrokitije të gjitha partitë parlamentare, përfshirë ata të pushtetit.

Lajme të ngjashme