BE-ja, shoqëria civile dhe opozita të shqetësuara: A do t`i miratojë sot Kuvendi tri projektligjet problematike? - NACIONALE

BE-ja, shoqëria civile dhe opozita të shqetësuara: A do t`i miratojë sot Kuvendi tri projektligjet problematike?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës sot gjendet para një sfide jo të lehtë. Në seancën e sotme në rend të ditës për miratim janë tri projektligje të cilat janë kritikuar fort nga Bashkimi Evropian, shoqëria civile dhe opozita.

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligjit Këshillin e Pavarur të Mediave po konsiderohen si antikushtetuese.

Dy projektligjet e para një herë Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur si antikushtetuese.

Pavarësisht kritikave të shumta, partia në pushtet ka injoruar vërejtjet dhe komentet e BE-së.

Bashkimi Evropian edhe dje ka shprehur shqetësimet për dy projektligjet e para.

Parmes një komunikate për media, BE-ja ka bërë me dije se pushteti ka refuzuar të gjitha komentet e tyre.

Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.”, është thënë në komunikatën për media, duke përmendur problemet kryesore të këtij ligji.

Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil.”, ka vlerësuar BE-ja.

BE-ja shqetësime ka shprehur edhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.”, është thuhet tutje.

Në lidhje me projektligjin aktual për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shprehu keqardhje që Kosova nuk ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.

Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, është shprehur.

Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve.”, është thënë në fund të komunikatës.

Sot në rend të ditës është projektligji për Këshillin e Pavarur për Media, i cili është kritikuar ashpër nga opozita, mediat dhe shoqëria civile.

Opozita sytë nga Kushtetuesja

Opozita ka paralajmëruar se nëse këto projektligje miratohen sot në Kuvend, ato do të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se të tri ligjet janë antikushtetuese.

Tri projektligje, të cilat nesër janë në agjendë të Kuvendit, janë qartësisht antikushtetuese: 1. Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, 2. Projektligji për Zyrtarët Publik dhe 3. Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave. Dy nga këto ligje njëherë janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjeve nga BE-ja dhe organizata të tjera të rëndësishme ku Kosova tenton të anëtarësohet, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës po i shtyjnë përpara këto nisma ligjore antikushtetuese”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Ai ka treguar qëllimet e pushtetit me këto projektligje.

Qëllimet e tyre janë malicioze: - futja nën kontroll e pushteteve të ndara kushtetuese, - shkarkimi i zyrtarëve publik, shumë prej të cilëve me përvojë sipas sistemit të karrierës bazuar në standardet evropiane të ndërtimit të shërbimit civil të pavarur, - shtrimi i ndikimit në media, të cilat po i rezistojnë presionit të qeverisë, e cila përveç se karakterizohet me ‘demokraci elektorale’, asnjë veti të qeverisjes demokratike nuk e ka treguar në këto katër vite”, ka shkruara ai.

Gjatë javës së kaluar, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë paralajmëruar dërgimin e këtyre ligjeve për shqyrtim në Kushtetuese për herë të dytë.

Deputetët e këtyre partive një gjë të tillë e kanë paralajmëruar në Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas tyre, përmes këtij ligji Qeveria po synon ta kap administratën publike.

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka thënë se opozitës nuk po i mbetet rrugë tjetër.

Opinioni i SIGMA-së thekson se mandati me afat të caktuar nuk janë të zakonshme në administratat e vendeve anëtare të BE-së, dh në mënyrë artikulare ato nuk parashihen në nivelin e ulët dhe të mesëm drejtuese. Kjo reformë mund të dërgojë lehtësisht në politizimin e administratës publike deri në nivelin e udhëheqësve të njësive në nivelin e ulët drejtues. Përsëri do ta kontestojmë e do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që ky ligj nëse miratohet kësi soji shkon drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.

Ne jemi këtu që të ju themi që nëse ky ligj aprovohet kështu në këtë formë e dëmton zyrtarin publik edhe është në kundërshtim me disa parime që janë të njohura me zyrtarë publikë. Janë disa dispozita që e politizojnë dhe do të jenë problematike, sikurse është vlerësimi atje. Sipas meje mbete problematike çështja e ushtruesve të detyrave edhe që rreziku që prapë ku ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk po respektohet fillimi i mandatit ashtu siç është përcaktuar me ligj në rastet e udhëheqësve të niveleve të ndryshme nëse ata janë pa mandat, ligji ju jep të drejtën që në momentin që hynë në fuqi ky ligj ata ta fillojnë mandatin e rregullt. Mbeten çështje problematike që ky ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Veliu.

Deputetët e opozitës të njëjtën gjë synojnë ta bëjnë edhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, që është mbajtur të enjten, ku është miratuar ky projektligj, deputetët e tri partive opozitare kanë thënë se projektligji në fjalë është anti-kushtetues.

Deputeti Selmanaj ka thënë se LDK-ja është e vendosur të mbrojë kushtetutshmërinë.

Më mirë është ta ndalin këtë proces tash, përkundër që e keni miratuar si komision dhe ta ktheni edhe një herë te qeveria në mënyrë që propozimi tjera të vijnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe me idenë që reforma në drejtësi të jetë vërtetë reformë dhe të mos deformohet sistemi. Po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese. Sepse jemi të vendosur të mbrojmë kushtetutshmërinë në këtë vend”, është shprehur Selmanaj.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se projektligji në fjalë do të rrëzohet nga Kushtetuesja.

Po mendoj se qasja është gabim, vendimmarrja është ka rrezikohet dhe unë ju tregoj epilogun. Si të shkon ky ligj në Gjykatë Kushtetuese bije, sepse nuk është trajtuar rekomandimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.

Të njëjtën bindjen e ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj.

Ky ligj si i tillë nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sepse ka dhjetëra elemente që e shkelin Kushtetutën”, ka thënë Beqaj.

Lajme të ngjashme