Në mbrojtje të fjalës së lirë: Të hënën protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës - NACIONALE

Në mbrojtje të fjalës së lirë: Të hënën protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në mbrojtje të lirisë së medias, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me përkrahjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, ka njoftuar për organizimin e një proteste që synon të shperfaqë shqetësimin e medieve në Kosovë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit të njohur "Klan Kosova" nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në kohën kur liria e mediave është jashtëzakonisht e rëndësishme, protesta tregon vullnetin për të mos qëndruar indiferentë ndaj sfidave me të cilat po përballet gazetaria në Kosovë.

Protesta, e cila është paralajmëruar të mbahet më 31 korrik, do të fillojë në ora 12:00 në sheshin "Zahir Pajaziti".

Motoja e kësaj proteste është "Demokracia vdes në errësirë," e cila shpreh qartë shqetësimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile për vendimin e fundit të pushtetit.

"Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën," - thuhet në njoftimin e protestës.


Kritika të ashpra ndaj qeverisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar dje se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e televizionit "KlanKosovës" në lidhje me vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit. MINT njoftoi se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.

"Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente. Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.", - thuhej mes tjerash në njoftimin e MINT-it në Facebook.

Vendimi i ARBK-së që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës shkaktoi shumë reagime. Vendimi i tyre i parë që pezullonte certifikatën e biznesit, siç kishte raportuar Nacionale më herë, ishte marrë në mënyrë të gabuar, duke e bazuar në një interpretim të gabuar të ligjit.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.” – thuhet tutje në komunikatë.

Në përgjigje ndaj këtij vendimi, Klan Kosova pati një reagim të ashpër, duke e kualifikuar atë si një veprim politik dhe arbitrar të Qeverisë Kurti.

Këtë, kjo Qeveri, po e bën me vendime që nuk i përkasin një sistemi demokratik. Në emër të ligjit e Kushtetutës, po ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me të dyja, e për më keq edhe kundër parimeve të demokracisë.” – shkruan në reagimin e fundit ky medium.

Në lidhje me këtë temë, ambasadat në Kosovë kanë shprehur reagime të tyre të ashpra lidhur me vendimin. “Jemi në dijeni të vendimit dhe po e përcjellim këtë çështje për së afërmi.” – deklaronte ambasada e ShBA-së.

Tutje, ambasada amerikane ka deklaruar se vendimi ndaj Klan Kosovës duket duket të jetë marrë papritmas.

E vëmë në pah që duket se vendimi është marrë papritmas dhe që heqja e licencës së ndonjë medie është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim të hollësishëm. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mediat e lira dhe të pavarura janë thelbësore për demokracitë e forta dhe të qëndrueshme.” - përfundonte Ambasada e ShBA-së.

Në të njëjtën vijë ishin edhe ambasadat e tjera, përfshirë ambasadën e Gjermanisë dhe Zyren e BE-së në Kosovë, të cilat kritikuan këtë vendim të Qeverisë Kurti. Përveç tyre, AGK-ja dhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias shprehën kritikat e tyre ndaj vendimit.

Sekretari Gjeneral i Federatës Evropianë të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, kishte karakterizuar këtë vendim si të turpshëm dhe kishte theksuar se "Kosova është në zi...".

“Kosova në zi... Tërheqja e certifikatës së biznesit të një kompanie mediatike është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi…Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile kosovare. Ata nuk i meritojnë praktika të tilla. Solidariteti im shkon për demokratët kosovarë. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik. Turp për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.” – shkruante ai.

Kurti “mbështet plotësisht” mbylljen e Klan Kosovës

Zyra e Kryeminsitri të Kosovës “mbështet plotësisht” organet që kryejnë detyrat e tyre, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e djeshëm të ARBK-së për heqjen përfundimtare të licensës së biznesit, përkatësisht, mbylljen e televizionit “Klan Kosova”. Përmes një serie cicërimash në Twitter, Albin Kurti, është shprehur se aplikimi i ligjit kundër “biznesmenëve të fuqishëm...në asnjë mënyrë nuk përbën sulm mbi lirinë e medias”.

"Të ndjekësh rregullat e regjistrimin është detyrë ligjore, e jo 'teknikalitet'", ka shkruar Kurti, teksa ka shtuar edhe se shtrirja e ligjit kundrejt "një shkelësi...nuk bën asgjë për të kërcënuar pluralizmin e medias".

"Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur një gjë të tillë nuk janë në Zyrë të Kryeministrit. Sidoqoftë, këto organe kanë mbështetjet e plot të Zyrës sonë për të kryer detyrat e tyre, përvballë interesave të fuqishmne të biznesmenëve të pasur në linjë kundër tyre".

Kurti operimin e Klan Kosovës e quan "sulm ndaj demokracisë tonë kur biznesmenë të fortë thejnë ligjin për përfitime financiare".

"Të shtrish sundimin e ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të till - në asnjë mënyrtë - nuk përbën sulm mbi lirinë e medias", ka përfunduar ai.

Lajme të ngjashme