“Në krye të herës”: Ngjashmëria e çuditshme mes postimeve të Dejona Mihalit, Rilind Gërvallës dhe nënkryetares së Bordit në RTK!
Tash e 1 muaj, skandali i RTK-së me artikullin e Slobodna Bosnës ka dominuar hapësirën publike në Kosovë. Pati reagime, postime në rrjete sociale, intervista e çka jo tjetër.
Në vazhdimësi në diskutimet publike ka pasur hipoteza se është “komisarja” e VV-së, Dejona Mihali, e cila organizon çdo gjë. Madje, deri në akuzat se ua shkruan edhe fjalimet e postimet zyrtarëve të partisë.
Megjithatë, përveç Adriana Matoshit, duket të ketë pasur një ngjashmëri të madhe mes fjalëve që përdorë Dejona Mihali në postimet e saj, dhe ato që përdori drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla. Madje, edhe nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti.

Gjatë disa hulumtimeve nëpër postime të Dejona Mihalit kohë më parë, vërehet se në vitin 2013 teksa fliste për përurimin e librit të Glauk Konjufcës, Mihali e shfrytëzon shprehjen “në krye të herës”, kryesisht e përdorur më shumë në dialektin toskë e në Shqipëri.
“Në krye të herës, bile, librat filozofikë shkruheshin pa ndonjë arsyetim të veçantë”, shkruante Dejona Mihali.
Rastësi apo jo, fraza e njëjtë është përdorur në postimin e gjatë të drejtorit Rilind Gërvalla, teksa ishte munduar ta arsyetonte botimin e lajmit të rrejshëm kundër Nacionales e Periskopit.
“Dua të theksoj që në krye të herës se RTK nuk i ka përmendur këto media emër: një mënyrë kjo për të mbajtur në konsideratë integritetin e profesionistëve që punojnë në ato media”, shkruante Gërvalla. Pra edhe ky, duke përdorur frazën “në krye të herës”. Se kush e ka shkruar, mbase është për t’u diskutuar...

Nuk përfundon ende. Të njëjtën shprehje, në të njëjtin kontekst, e përdori edhe nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti. Edhe kjo duke tentuar ta arsyetojë mosmarrjen e masave ndaj Rilind Gërvallës për lajmin kundër Nacionales. Pra, tre zyrtarë me mendime të njëjta, përdorin shprehje identike. Sigurisht, e para ishte ‘komisarja’ Mihali.
“Që në krye të herës më duhet të sqaroj si Nënkryetare e Bordit të RTK së vlerësimet dhe sulmet nga vet anëtarët e Bordit për stafin dhe politikën editoriale të RTK janë në thelb absurde dhe në një mënyrë të papranueshme”, thuhet në postimin e Mehmetit. Pra, edhe kjo “në krye të herës”.

Vazhdimisht ka pasur akuza se Dejona Mihali i shkruan dhe i organizon të gjitha prononcimet publike të zyrtarëve të kësaj partie.
Nacionale kishte siguruar një komunikim të deputetes Adriana Matoshi me Dejona Mihalin, ku kjo e fundit ia përgatit deputetes disa fjali për ta sulmuar një analist kosovar që ishte tallur me të.
“Ish-Zv. ministri i PDK-së, njohësi i thellë i fushës së shpronësimeve në Hade, tash pronar portali “Periskopi”, ka kohë që në mënyrën më të ultë merret me mua. E kuptoj që është në opozitë dhe fondet nuk i ka më siç i kishte, por e inkurajoj për durim e vetëpërmbajtje. I bën mirë edhe për shëndetin.”
Jo veç që i tregon se çka të shkruajë, Mihali e udhëzon deputeten Matoshi edhe se kur ta publikojë shkrimin kundër analistit.
“A ta qes post në Facebook?” – e pyet Matoshi. “Më vonë” – ia kthen Dejona.
Fillimisht, duhet përmendur që deputetja Matoshi, përveç komunikimit me Mihalin, i është ankuar edhe zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për gazetarin Mirena duke i thënë se “po merret me të”.
