Në Facebook “skifter”, në gjykatë “pulë”: Kërcënuesit e politikanëve opozitarë kërkojnë falje në gjykata
Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet nëpër rrjete sociale në vitet e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Ndaj kërcënimeve me jetë nuk janë kursyer as politikanët opozitarë dhe gazetarët.
Denoncimi i të pandehurve në polici ka bërë që organet e rendit t`i marrin seriozisht këto raste dhe autorët t`i sjellin para drejtësisë.
Me të dalë para gjykatave, kërcënuesit janë zbutur dhe kanë ndërruar fjalët.
Ata u kanë kërkuar falje personave që kanë kërcënuar, duke thënë se nuk e kanë menduar atë që e kanë thënë.
Vetëm brenda pak ditëve të këtij muaji gjykatat e Kosovës kanë marrë pesë vendime për rastet ku politikanët opozitarë dhe gazetarët janë kërcënuar me jetë. Në të gjitha rastet kërcënuesit kanë qenë qytetarë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.
Rasti më interesant ishte ai i ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ishte kërcënuar me jetë nga një qytetar. Në seancën gjyqësore, e cila është mbajtur para disa dite, i pandehuri është gjunjëzuar para deputetit të LDK-së, duke i kërkuar falje. I pandehuri është dënuar vetëm me gjobë.
Kurse, kërcënuesi i deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, është dënuar me 6 muaj burgim.
Në këtë muaj, në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe kërcënuesin e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi. I dyshuari me inicialet A.B, që deputeten e kishte kërcënuar me heqje koke, jeton në boten perëndimore dhe është arrestuar duke hyrë në Kosovë.
Në këtë muaj janë dënuar edhe kërcënuesi i gazetari Milaim Zeka dhe ai i gazetarit Vehbi Kajtazi. Ky i fundit ka treguar se kërcënuesi ka kërkuar falje në gjykatë.
“Dje me erdhi një vendim gjykate. Një person që me ka kërcënuar me jetë është dënuar 700 euro. Tipi jeton në Paris. Në momentin që ka hy në kufi e kanë arrestuar. Kish kërkuar falje, ndonëse unë nuk kam qenë në seancë. Ajo që po du me thanë është se nja 5 bashkatdhetarë tanë janë dënuar këtë muaj për kërcënime. Në vend që me shku në familjet e tyre, ata fillimisht shkojnë në burg”, ka shkruar Kajtazi në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe Milaim Zeka ka treguar se kërcënuesi i tij, që jeton në Suedi, është dënuar nga gjykata me 500 euro.
Partia në pushtet ka ushqyer gjuhën përçarëse
Opozitarët që kanë qenë viktima të kërcënimeve të njerëzve nga diaspora e kanë akuzuar VV-në që me vite ka ushqyer gjuhen e urrejtjes në rrjetet sociale.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se një gjuhë e tillë sjell pasoja në shoqëri.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se e ka pranua kërkim faljen
“Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese. Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend”, ka shkruar Hoti.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka fajësuar partinë në pushtet për kërcënimet që po i marrin nga rrjetet sociale.
“Sot Gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg personin që më kanosi në dhjetor të vitit të kaluar, pas një debati të ashpër që kisha me kryeministrin Kurti në seancë plenare. Ky person që më kanosi nga Zvicra, të premten në seancë tha se ‘nuk voton në Kosovë prej 20 vitesh’ dhe pranimin e fajësisë e bëri krejt formlisht e në mënyrë të pasinqertë. Por, në një pikë ai ishte shumë i sinqertë. Deklaroi se ‘kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje’. Ky është një shembull konkret se gjuha me të cilën partia – shtet i ushqen militantët e saj, është gjuhë e urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit. Dhe si e tillë jo vetëm e papranueshme por edhe e dënueshme”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shpreson se këto dënime të gjykatës të ndikojmë me eliminimin e gjuhës kërcënuese.
“Këto ditë ishim dëshmitarë të disa proceseve në Gjykata ku në cilësinë e të akuzuarve ishin persona që kishin kërcënuar me jetë Deputeten Musliu, ish Kryeministrin Hoti dhe Deputeten Musliu-Shoshi. Në të tria rastet, të pandehurit kërkuan falje, deklaruan se janë penduar, se nuk e kanë menduar atë që e kanë thënë. Llumi dhe helmi i madh që çdo ditë shpërfaqet në rrjetet sociale është produkt i polarizimit ekstrem që me vite është ushqyer në shoqërinë tonë”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, në rrjete sociale ka grupe të organizuar që merren me linçimin dhe kërcënimeve e njerëzve. “Po dua të shpresoj që dënimet e ditëve të fundit për rastet e lartëcekura të frenojnë sadopak vrullin e llumit që po del në sipërfaqe çdo ditë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook.

