Në ditën kur Bislimi thotë se Klan Kosova financohet nga Serbia, Gjykata ia jep edhe një goditje pushtetit
Gjykata ka vendosur sërish për rastin e Klan Kosovës. Sërish, ka fituar Klan Kosova. Madje, kjo pikërisht në ditën kur zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se kjo medie financohet nga Serbia. Çfarë ndodhi?
Dhomat e Dytë e Gjykatës Komerciale ia ka rrëzuar ankesën Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Kjo ndërlidhur me masën e përkohshme që ishte marrë në shkallën e parë lidhur me rastin e Klan Kosovës. Gjykata ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje në vendimin e shkallës së parë, ku u theksua se Klan Kosova ka bërë ndryshimet e nevojshme në certifikatën e biznesit.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e të paditurës-Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë-Departamenti për Çështje Administrative, KA.nr.315/23 i datës 02.08.2023, VËRTETOHET”, thuhet në vendim.
Ndryshe, më 2 gusht 2023, Gjykata Komerciale ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I. APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhej në vendim.
E ky vendim i shkallës së dytë vjen pikërisht në ditën kur zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka sulmuar brutalisht mediat.
Kjo duke thënë se mediat ia kanë nxjerrë nga konteksti një fjalë në një intervistë për gazetën Danas. Kjo, pavarësisht se Bislimi vetë kishte thënë se Kosova ka bërë lëshim të madh duke hequr dorë nga njohja formale.
“Pamundësia e faktorit ndërkombëtar të detyrojë Serbinë të jetë konstruktive në dialog, ka sjellë propozimin franko-gjerman, i cili i ofron Kosovës njohje de facto, por njohja de jure mbetet për më vonë. Ky nuk është lëshim. Fjala lëshim është (keq)përdorur qëllimisht nga mediat kosovare që kanë financim nga Serbia për t’i dhënë konotacion negativ”. - u shpreh Bislimi.
Kur u pyet se për cilat media e ka fjalën, Bislimi tha: “Për ato media që e kanë pronësinë në Serbi”, duke aluduar në Klan Kosovën.
E zv/kryeministri i Kosovës u bë horë sërish. Nacionale gjeti se gjatë konferencës, Bislimi e editoi postimin e tij në rrjete sociale duke e hequr fjalën lëshim, e duke e shkruar koncension.
Mediat s’e kanë përdorur më vete fjalën lëshim, por e ka përdorur ai vetë në intervistën e tij dhënë për Danas, intervistë të cilin e ka publikuar vetë në Facebook-un e tij.
E pas deklaratës për media, e ndërroi në “Edit post” në Facebook në ora 11:40. Shih fotografinë krahasuese mes asaj që ka thënë kur e ka publikuar dhe redaktimit që i ka bërë sot gjatë kohës së konferencës.
Kjo është fjalia e botuar në ora 15:43 më 9 shtator në Facebook-un zyrtar të Bislimit: “Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”
Ky është redaktimi i bërë në ora 11:40 më 18 shtator: “Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një koncesion i madh i Kosovës”.