“Në anën e majtë i paralizuar, dëmtime nervore, gjashtë orë rrahje”: Flet për herë të parë Sandulloviq pas torturimit nga BIA
“Më rrahën, torturuan, poshtëruan dhe më kërcënuan me vrasjen time dhe të familjes sime”.
Kështu ka thënë në një deklarim të parë pas kidnapimin dhe torturimit brutal, politikani serb, Nikolla Sanduloviq, duke folur për “The Guardian” për krejt ndodhinë prej kur u abdukua nga shërbimi famëkeq sekret serb (BIA); pas vizitës në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi faljet për krimet shtetërore-ushtarake serbe kundër popullatës civile.
Duke rrefyer se si vijoi ngjarja, Sandulloviq i thotë të përditshmes prestigjioze britanike se e rrëmbyen nga shtëpia e tij para dhjetë dite dhe ku BIA e nënshtroi në “abuzim të dhunshëm për më shumë se gjashtë orë”.
“The Guardian” citon avokatin e tij i cili shpjegon se si pasojë e dhunës brutale të aplikuar ndaj tij nga BIA, Sandulloviq “mbetet i paralizuar në anën e majtë të tij dhe po vuan dëmtime nervore”.
“Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe, të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë, duke me rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe jetën”, ka thënë Sandulloviq.
“E gjithë kjo për shkak të shprehjes sime politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari”, ka thënë mes tjerash Sandulloviq në rrëfimin e tij të parë që nga ngjarja.
“The Guardian” e kontekstualizon artikullin me atë se Sandulloviq është demonizuar skajshmërisht nga mediat pro-qeveritare serbe pasi vizitoi varrezat e Jasharve, që siç kujton gazeta, Adem Jashari ishte vrarë “bashkërisht me 57 anëtarë të familjes së tij” nga policia serbe.
Sanduloviq tha se pas sulmit, shërbimi sekret e mori atë në shtëpi. Menjëherë pas, tha ai, ka mbërritur policia me urdhërin për burgosjen e tij. Në vend të kësaj, tha ai, ai u dërgua në qendrën e urgjencës pasi "gjendja e tij ishte kritike".
BIA e ka pranuar marrjen në pyetje të Sanduloviq-it, por, në një deklaratë për Financial Times, tha se ai "nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave".
BIA shprehej se vetëm dontin të “zbardhim kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sanduloviq-it, të cilat prokurori kompetent i klasifikoi si vepër penale… duke nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”. Shërbimi famëkeq serbe mohoi raportimet se agjentët e saj e kishin rrahur atë, duke thënë se akuzat kishin për qëllim destabilizimin e vendit.
Edhe gjashtë ditë më parë “The Guardian” i kishte kushtuar një artikull rrahjes brutale të Sandulloviqit nga shteti serb dhe shërbimet e saj
Në fakt, vetë “The Guardian” shkruan se “agjentët e shërbimit sekret dyshohet se rrahën Nikola Sanduloviçin pasi ai kërkoi falje për krimet kundër shqiptarëve etnikë”.
Në shkrim përcilleshin edhe ankesat e familjes së Sanduloviqit, të cilët theksonin se ai ka mbetur gjysmë i paralizuar.
“Në një sulm që ka nxitur frikën për të ardhmen e demokracisë në vend, familja e Nikola Sandulović thotë se ai u mor nga shtëpia e tij më 3 janar pasi kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1988 dhe 1989.” – shkruan “The Guardian”.