Ndryshe nga fqinjët, Kosova vazhdon të përballet me rritje marramendëse të çmimeve
Nga viti 2021 e deri në fund të 2025-ës, familjet në Kosovë janë përballur pa ndërprerë me barrën e rëndë të shtrenjtimit të kostos së jetesës.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, niveli kumulativ i çmimeve shënoi rritje hiç më pak se 27.8 për qind përgjatë kësaj periudhe.
Kjo, pa përfshirë rritjen e shpejtë të çmimeve gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, periudhë kur Kosova po i afrohet me ritëm shqetësues krizës sëë ngjashme me atë të vitit 2022.
Norma vjetore e inflacionit, 2021–2025
Goditja më e fortë e çmimeve u regjistrua në vitin 2022, me një normë prej 11.6 për qind, rritje që ishte kryesisht e importuar nga kriza globale si pasojë e luftës në Ukrainë.
Ndonëse vitet pasuese shënuan rritje më të moderuar, çmimet nuk pësuan asnjëherë rënie. Pasi u zbut gjatë viteve 2023 dhe 2024, inflacioni mori sërish hov në 2025-ën dhe sidomos 2026-ën.
Të dhënat për produktet ushqimore, dëshmojnë më së miri brutalitetin e rritjes eksponenciale të çmimeve përgjatë kësaj periudhe.
Mielli pësoi rritje drastike prej 54.5%, i ndjekur nga buka me 44.7%, vezët me 42.0% dhe qumështi me 37.8%. Ndërkohë, vaji ushqimor, pavarësisht një stabilizimi të lehtë në fund të kësaj periudhe, preku nivele rekord gjatë vitit 2022.
Rritja kumulative e çmimeve, 2021–2025
Kategoritë më të cenuara mbeten familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët. Për ta, goditja është e dyfishtë, pasi pjesa dërrmuese e buxhetit të tyre shpenzohet pikërisht për këto produkte ekzistenciale, çka ishte theksuar në shumë raporte të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Lajmi i keq i krizës së çmimeve është se, ndonëse tashmë ka stabilizim çmimesh në shumicën e vendeve evropiane dhe ato fqinje, Kosova është shkëptur ndjeshëm duke u bërë ndër vendet evropiane më inflacionin më të lartë përgjatë muajve të fundit.
Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë shënoi rritje prej 6.8% krahasuar me majin e vitit 2025.
Sipas të dhënave, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua te transporti, me 14.1%, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 13.2%.
Rritje të ndjeshme pati edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5.6%, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.3%, si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike me 5.1%.
Çmime më të larta u shënuan gjithashtu në shëndetësi, mobilje dhe pajisje shtëpiake, kujdes personal, rekreacion, veshje dhe këpucë.
Për krahasim, në maj 2026 inflacioni vjetor në Shqipëri ishte 3.0%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 4.8%. Ndërkohë, të dhënat e fundit të publikuara për Serbinë dhe Malin e Zi i referohen muajit prill 2026, kur inflacioni ishte përkatësisht 3.3% dhe 3.8%.