Ndërrimi i policëve në veri: EULEX-i thotë se Policia kishte bërë "kërkesë formale" në adresën e tyre
Policia e Kosovës kishte bërë kërkesë formale te EULEX-i që të zëvendësoheshin policët e bllokuar për dy javë në veri të vendit. Kështu ka informuar së fundi pikërisht misioni i BE-së për sundim të ligjit.
Me lehtësim të madh u prit dje lajmi se policët që kishin qendruar në veri të vendit ishin zëvendësuar nga ana e kolegëve të tyre, pasi kishin qëndruar për 14 ditë të bllokuar.
Por, e gjithë kjo del se ka ndodhur me ndihmën e EULEX-it, të cilës madje edhe i është bërë kërkesë zyrtare për një gjë të tillë.
“Pas një kërkese formale të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i shoqëroi një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët bënin rotacion dhe zëvendësonin policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq,” – thuhet në një përgjigje të këtij misioni dhënë për Telegrafin.
Nacionale kishte raportuar vazhdimisht se si një numër i konsiderueshëm i policëve të vendit përgjatë dy javëve nuk ishin ndërruar fare nga ana e menaxhmentit në Prishtinë.
Bëhej fjalë për Jarinjën dhe Leposaviqin, pasi në afërsi të Bërnjakës ishin gjetur rrugë alternative për t’u kryer një operacion i tillë policor.
Në lidhje me këtë shpërfillje të policëve të Kosovës në ato pjesë ka pasur edhe reagime të shumta publike, e madje edhe kritika drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.
Serbët në veri të vendit janë barrikaduar pas arrestimit të ish zyrtarit policor Dejan Pantiq. Ata një arrestim të tillë po e konsiderojnë si të padrejtë.
Por, këto barrikada po konsiderohet se kanë motive politike mbrapa. Kryeministri i vendit Albin Kurti është shprehur se krijimi i tensioneve në veri është përdorur nga Beogradi për të fshehur refuzimin që po i bënte planit franko-gjerman. Serbia – por edhe Bashkimi Evropian – i kanë mohuar këto fjalë.
Në anën tjetër, duhet përmendur se kryeministri i Kosovës ka kërkuar takim me komandantin e KFOR-it për të kuptuar arsyen se pse nuk janë hequr barrikadat deri tash.
Ai kishte thënë se do t’i jepte misionit paqeruajtës të NATO-s “pak kohë” për të gjetur një zgjidhje. Por, deri tash nuk ka asnjë lëvizje nga ana e KFOR-it, me një deklaratë shqetësuese të lëshuar dje ku kërkohej dialog mes palëve.
