Ndërmarrjen e dëmtuar me mbi 114 mijë euro, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj ish-kryeshefit dhe koordinatorit të “Pastrimit”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës dhe ushtrim të ndikimit dhe ‘’ushtrimi i ndikimit’’ sa ishin në udhëheqje të kompanisë “Pastrimi”.
Në komunikatën për media është thënë se bëhet fjalë për ish-kryeshefin dhe koordinatorin e kësaj kompanie.
Sipas aktakuzës, ata e kanë dëmtuar buxhetin e ndërmarrjes publike në vlerë prej 114, 535.06 euro.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K., gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘’KRM Pastrimi’’, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. I njëjti ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë, duke dhënë detaje tjera.
“Sipas Prokurorisë, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontrata në fjalë. Po ashtu, i pandehuri ka nxjerrë aktvendime për avancimin e të punësuarve duke mos respektuar procedurat përkatëse të avancimit. Me këto veprime sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114, 535.06 euro, ndërsa i pandehuri N.Rr. ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave”, është thënë në komunikatë.