Ndërkombëtarët qortuan Kurtin dy herë për dy ditë, por ish-ambasadori amerikan beson se "ai po përkëdhelet"
Albin Kurti përgjatë këtyre ditëve më së shumti u përfol për dy çështje, deklaratat e tij në lidhje me paralajmërimin e një konflikti të mundshëm, dhe takimin që e pati javën e kaluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Për të dyja këto, ai mori kritika, fillimisht nga komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari e pastaj nga ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Por larg po i sheh kritikat një tjetër diplomat amerikan. Ish-ambasadori William Dale Montgomery, po konsideron se kryeministri “po përkëdhelet”.
Qytetarë, opozitë, ekspertë të sigurisë e analistë, u shfaqën të shqetësuar me deklaratat e kryeministrit Kurti. Ky i fundit, para disa ditësh në dy intervista të ndara, për “La Repubblica” dhe “Reuters”, nuk përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë.
Nga paralajmërimet për luftë, Kurti shkoi në tryezën e dialogut. Të enjten e 18 gushtit, ai e takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, me të cilin nuk arritën marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.
“Favorizimi” i BE-së e SHBA-së ndaj Kurtit, sipas ish-ambasadorit
Ish-ambasadori amerikan në Kroaci, Bullgari dhe Serbi e Mal të Zi, William Dale Montgomery ka akuzuar SHBA-në dhe BE- në se po favorizojnë Kosovën në dialog me Serbinë në disa deklarata shumë të ashpra.
Montgomery u shpreh se “përgjegjësia për çdo dhunë të mundshme do të jetë e BE-së dhe ShBA-ve”.
“Nëse politika aktuale e BE-së dhe ShBA-së vazhdon ta favorizojë Kurtin, përgjegjësia për çdo dhunë të mundshme që ndodh është në shpirtrat e tyre,” – ka thënë për Tanjugun diplomati amerikan.
“Kam frikë se bashkësia ndërkombëtare po e vë Qeverinë e Serbisë në një pozitë të pamundur – dhe nuk jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm për ndikimin e veprimeve të saj,” - u shpreh më tej ai.
“Nuk është mirë të flitet për luftë”
Paralajmërimet e Kurtit për luftë, i hodhi poshtë të martën komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari. Hungarezi që e mori këtë detyrë në tetor të vitit të kaluar tha se përgjigja më e thjeshtë se a do të ndodhë konflikt, është “jo”.
“Përgjigja më e thjesht është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjëlloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”, ka thënë ai.
Ai theksoi se nuk është mirë të flitet për luftë, e madje shtoi se kjo çështje është diskutuar edhe me Kurtin.
“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari.
“Pala serbe veproi mirë...të tjerë nuk ishin të përgatitur”
Kjo më lartë, ishte deklarata që e dha dje ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për mediumin “N1”.
Ambasadori amerikan tha se Serbia shkoi e përgatitur në raundin e fundit të idalogut Kosovë-Serbi, takim që u mbajt më 18 gusht. Sipas tij, palët tjera, duke lënë kështu të nënkuptohet Kosova, nuk ishin të përgatitura.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika", tha Hill.
Ai pohoi se presidenti i Serbisë, mbërriti në takimin e tyre “për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë.”
"Mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.
Sa i përket kryeministrit Kurti, ky i fundit u përgjigj tërthorazi në deklaratat e ambasadorit Hill, me dy deklarata që nuk lidhen fort me njëra tjetrën.
“Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe jo thjeshtë menaxhim të krizës për probleme eventuale. Në Bruksel kam qenë si kryeministër i Kosovës. Nuk kam qenë si prokuror, as si polic, as i gjykatës, as si shef i kadastrës.”, ka deklaruar Kurti.
Kurti u duk se pranoi kritikën e Hillit se nuk kishte folur për tema specifike, por megjithatë ai pati një koment tjetër që duket se kundërshton të parin duke thënë se Serbia nuk kishte bërë propozime për kompromis.
“Deklarata se ka pasur propozime nga njëra palë dhe propozime për kompromis janë të pavërteta, ende kemi qenë të hapur mirëpo nga ndërtesa më herët ka dalur pala tjetër.”, është shprehur ai.


