Ndërhyrja në zgjedhje: MPJD-ja veproi kundër aktgjykimit të Supremes, kur i udhëzoi ambasadorët të siguronin salla për votim të diasporës - NACIONALE

Ndërhyrja në zgjedhje: MPJD-ja veproi kundër aktgjykimit të Supremes, kur i udhëzoi ambasadorët të siguronin salla për votim të diasporës

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ambasadorët e Kosovës që të sigurojnë salla për votimin e diasporës, nuk ka qenë vetëm antiligjore dhe antikushtetuese. Kërkesa në fjalë ishte edhe kundër vendimeve të PZAP-it dhe Aktgjykimit të Gjykatës Suprem.

Duke e kontestuar vendimin e KQZ-së për caktimin e numrit të vendvotimeve dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike, VV-ja ishte ankuar në PZAP dhe Gjykatë Suprem.

Për të rrëzuar vendimin e KQZ-së, partia e Albin Kurtit si prova kishte përdorur edhe disa materiale të MPJD-së.

Megjithatë, të dy këto instanca gjyqësore e kishin rrëzuar ankesën e partisë në pushtet.

Pavarësisht vendimeve të këtyre dy institucioneve, MPJD-ja ka vazhduar me veprimet e saj , të cilat janë cilësuar si antiligjore dhe antikushtetuese.

Më 9 shtator, Gjykata Supreme ka vendosur se ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të KQZ-së ka qenë e paqëndrueshme.

Objekt shqyrtimi dhe vlerësimi në Gjykatën Supreme të Kosovës ishin thëniet e parashtruesit të ankesës përkitazi me shkeljet e pretenduara, përkatësisht, shkeljet e dipozitave përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, mirëpo, në rastin konkret, këto pretendime u refuzuan si të pabazura edhe nga kjo Gjykatë, sepse të njëjtat nuk janë provuar dhe faktuar, si dhe nuk kanë mbështetje ligjore, ndaj, si të tilla juidikisht, janë të paqëndrueshme”, është thënë në aktgjykimin e Supremes.

Gjykata në fjalë citonte Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (nenin 96), sipas të cilit është paraparë që KQZ-ja t`i përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruar në hapësira votimi.

Sipas Supremes, KQZ ka vepruar në përputhje me ligjin dhe kompetencat që ka.

Nga sa u theksua, rezulton se në këtë rast, bëhet fjalë për një tagër (autorizim logjor – ingerencë – kompetencë) të KQZ, që ka të bëjë me miratimin e listës së qendrave të votimit jashtë Kosovës, përcaktimin e numrit të vendvotimeve dhe të numërit maksimal të votuesve, gjë që, KQZ edhe e ka bërë në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren përkatëse të sipër përmendur”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Më pas, Supremja konstaton se KQZ-ja ka marrë vendim të drejt kur ka vendosur për caktimin e numrit të vendvotimeve (47) dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike.

Sipas Supremes, në këtë rast KQZ-ja nuk ka cenuar të drejtën e votimit si e drejtë themelore e garantuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në rastin konkret juridik, është marrë vendim i drejtë, me të cilin nuk është bërë diskriminim dhe nuk është cenuar e drejta e votimit si e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk janë shkelur parimet themelore të procesit zgjedhor të parapara shprehimisht me dispozitat e nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe me Konventën Evropine të Drejtave të Njeriut, që kanë të bëjnë me garantimin e të drejtës së votës, garantimin e së drejtës së votimit të fshehtë, garantimin e të drejtës të votës së barabartë, etj.”, është thënë në aktgjykimin e Supremes.

Më 29 gusht 2024, KQZ ka caktuar numrin e vendvotimeve (47) dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike. Sipas këtij kufizimi, në një vendvotim mund të regjistrohen për të votuar 1,000 votues. Gjithnjë sipas KQZ-së, votimi do të organizohet në 19 ambasada dhe 16 konsullata që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme.

Sipas KQZ-së, ky vendim ishte marrë në konsultim me MPJD-në e cila i kishte ofruar KQZ-së një listë me të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe kapacitetet e tyre fizike. Ndryshe nga përfaqësitë diplomatike, KQZ nuk ka kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar përmes postës, duke mundësuar lejimin e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës të çdo shtetasi të interesuar për të votuar.

Çka thuhet në kërkesën e MPJD-së?

Javën e kaluar, gazeta Nacionale ka raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.

Kërkesa në fjalë udhëzonte në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.

Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.

Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.

“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.

Gazeta Nacionale ka raportuar se kërkesa në fjalë është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës vetëm KQZ është institucioni i thirrur për të organizuar procesin zgjedhor në vendin tonë.

Me anë të kësaj shkrese, MPJD ka marrë në dorë kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar procesin zgjedhor jashtë Kosovës.

Në këtë mënyrë, MPJD ka vepruar në kundërshtim edhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, MPJD ka për detyrë që t’i përgjigjet vetëm kërkesave të KQZ-së, por jo edhe të ndërmarrë veprime.

Lajme të ngjashme