Ekskluzive | “MPJD, në emër të ekzekutivit”: Kurti e përdori MPJD-në për të ndërhyrë në zgjedhje dhe në punën e KQZ-së
Vendimi i KQZ-së për të kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar më 9 shkurt në përfaqësi diplomatike nuk i ka pëlqyer partisë në pushtet. Kjo e fundit ka përdorur edhe fuqinë e Qeverisë për të kontestuar në PZAP vendimin në fjalë.
Për të tentuar rrëzimin e vendimit ligjor të KQZ-së, kryeministri Albin Kurti po përdorë Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ndërdyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili organizon zgjedhjet.
Gazeta Nacionale ka siguruar ankesën e VV-së që e ka bërë në PZAP, ku shihen veprimet joligjore.
Sipas dëshmive të siguruara nga Nacionale, MPJD-ja gjatë komunikimit me KQZ-në nuk ka vepruar vetëm në emër të saj, por në emër të të gjithë ekzekutivit kosovar, duke dëshmuar se për veprimet e saj është në dijeni edhe kryeministri Kurti.
Me anë të shkresave të ndryshme, MPJD ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në procesin e zgjedhjeve dhe në punën e një institucioni të pavarur kushtetues. Në kundërshtim me obligimet ligjore, në këto shkresa MPJD-ja ka kërkuar që procesi i votimit të zhvendoset “në objekte tjera jashtë përfaqësive diplomatike”.
Në bazë të nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë Kosovës organizohet në disa mënyra.
Njëra nga to është “fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra votimi sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit”.
Sipas ligjit, në këto raste “MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”.
Ndërhyrja e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve
Ndërhyrjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë vërejtur gjatë komunikimit të përbashkët të zyrtarëve të kësaj ministrie dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë shqyrtimit të përbashkët të kapaciteteve fizike të përfaqësive diplomatike që do të shndërrohen në qendra votimi për votimin jashtë Kosovës.
Në këtë komunikim është përfshirë (CC) edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk ka bërë asnjë reagim, duke lejuar në heshtje ndërhyrjen e MPJ-së në punët e institucionit që drejton.
Ky komunikim i MPJD-së ka përfunduar në ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të 6 qendrave të saj në SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Suedi dhe Norvegji, që me 31 gusht 2024 janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së.
Në këtë mënyrë shihet se si komunikimi zyrtar mes dy institucioneve ka përfunduar në dosjen ankimore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Çuditërisht, kundër këtij vendimi në PZAP është ankuar edhe vetë Ministria e Punëve të Jashtme.
Më 29 gusht 2024, KQZ ka caktuar numrin e vendvotimeve (47) dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike. Sipas këtij kufizimi, në një vendvotim mund të regjistrohen për të votuar 1,000 votues. Gjithnjë sipas KQZ-së, votimi do të organizohet në 19 ambasada dhe 16 konsullata që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Ndryshe nga përfaqësitë diplomatike, KQZ nuk ka kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar përmes postës, duke mundësuar lejimin e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës të çdo shtetasi të interesuar për të votuar.
Kufizimin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike dhe numrin e vendvotimeve që mund të hapen, KQZ e ka mbështetur vendimin e saj në nenin 96 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, paragrafit 8.
Sipas këtij neni, është obligim i KQZ-së që të “merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike”. Detyrë e përbashkët e KQZ-së dhe MPJ-së është vetëm “vlerësimi i hapësirave fizike për secilën përfaqësi diplomatike”.
Gjithnjë sipas ligjit, “jo më vonë se 5 ditë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve” dhe MPJ “obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda 3 ditëve nga dita e pranimit të kërkesës”.
Pra, siç mund të kuptohet detyra e Ministrisë së Punëve të Jashtme është e kufizuar vetëm në ofrimin e të dhënave për hapësirën ku janë të vendosura përfaqësitë diplomatike.
Por, këto janë tejkaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila “në emër të ekzekutivit” i ka propozuar Komisionit Qendror të Zgjedheve që të rritet numri i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.
Sipas këtyre shkresave, MPJ i ka kërkuar KQZ-së që “të bëjë ri-vlerësimin e numrit maksimal të lejuar të votuesve”. Kjo ndërhyrje e MPJ-së tejkaon obligimet e mësipërme ligjore.
Propozimet skandaloze të MPJD-së
Pa njohuri se si organizohet procesi zgjedhor dhe pa qenë të thirrur profesionalisht në organizimin e zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka propozuar KQZ-së regjistrim të votuesve në kundërshtim të plotë me kapacitetet fizike, për të cilat kjo ministri e ka njoftuar KQZ-në.
Vetëm për Konsullatën e Kosovës në Frankfurt, e cila sipas të dhënave të vetë MPJ-së ka një hapësirë 334 metra katrorë dhe ndodhet në katin e shtatë të një ndërtese ku zhvillohet kryesisht aktivitet biznesor, MPJ “në emër të ekzekutivit” ka propozuar që të regjistrohen për të votuar 10,000 votues.
KQZ, ka vendosur që në këtë konsullatë të hapen 2 vendvotime dhe të regjistrohen 2,000 votues për të votuar me 8 shkurt 2025.
Propozime të ngjashme, MPJ ka bërë edhe për ambasadat dhe konsullatat tjera. Në secilin rast, MPJ ka tentuar që numrin e votuesve ta rrisë shumëfish dhe jashtë mundësive reale fizike të këtyre përfaqësive diplomatike.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni i përhershëm që “përgatit mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot do të vendos për ankesat e VV-së dhe MPJD-së.