Ndalohen pesë policë pas vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan – bëhet thirrje për "hetim të pavarur dhe transparent"
Vdekja tragjike e Agon Zejnullahut nën rrethana tejet të dyshimta në Lipjan ka shkaktuar reagim të madh në opinionin publik dhe ka nxitur dyshime serioze për tejkalim të autorizimeve ligjore nga ana e policisë. Pas publikimit të pamjeve të ngjarjes dhe reagimeve të forta, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar dhe po hetohen për veprën penale të dyshuar “vrasje nga pakujdesia”.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Sipas Policisë, i ndjeri ishte në gjendje të dehur dhe po sulmonte kalimtarë e automjete. Në vendin e ngjarjes ndërhynë njësitë policore dhe ekipi emergjent mjekësor, por pavarësisht përpjekjeve, 27-vjeçari u konstatua i vdekur.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Pamje të publikuara nga portali Sinjali treguan viktimën të shtrirë në tokë, të prangosur dhe të rrethuar nga disa policë, çka ka ngritur dyshime për tejkalim të forcës së autorizuar. Pas publikimit të këtyre pamjeve, organet hetuese ndërmorën veprime. Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se pas inervistimit, të pesë zyrtarët policorë "janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë."
"Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).
Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore."
Deputeti i AAK-së, Beke Berisha, e cilësoi rastin si një tragjedi që kërkon zbardhje të menjëhershme. “Respekti për jetën e njeriut është themeli i çdo rendi demokratik dhe ligjor. Askush nuk është mbi ligjin, as qytetari, as polici”, tha ai, duke shtuar se drejtësia nuk duhet të mbulohet me heshtje.
“Kërkoj urgjentisht: Hetim të pavarur dhe transparent nga organet përkatëse, përfshirë IPK-në dhe Prokurorinë e Shtetit; Zbulimin e plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi; Ndëshkimin e kujtdo që ka tejkaluar kompetencat apo ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ngushëllime të sinqerta familjes Zejnullahu. Dhimbja juaj sot është dhimbje e të gjithëve. Ju siguroj se nuk do të lejojmë që kjo çështje të mbulohet me heshtje. Drejtësia duhet të vihet në vend!” – shtoi Berisha.
Edhe eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, e cilësoi të papranueshëm trajtimin e rastit nga ana e institucioneve. Ai kërkoi arrestimin urgjent të zyrtarëve policorë të përfshirë, duke e konsideruar suspendimin vetëm një masë administrative të pamjaftueshme.
“Policët e dyshuar urgjentisht të arrestohen, jo veç të suspendohen! Çka është kjo masë administrative e suspendimit që është rekomanduar nga IPK? Kush po ndikon për degradimin e Policisë së Kosovës kështu?! Logjika e Shtetit Policor është vendosur në krye. Gabim dhe e patolerueshme! E qartë që drejtësia duhet të jep fjalën finale. Për këtë lutemi të gjithë. Por, një i ri (edhe nëse ka qenë i dehur) ka ndrruar jetë i prangosur nën trupat e disa policëve! Pra, ka ndrruar jetë në duart e shtetit dhe pamjet janë të tmerrshme, tronditëse dhe irrituese!” – tha ai ndër të tjera.
Ehat Miftaraj nga IKD, e quajti menaxhimin e situatës nga pesë policët si “amatorizëm i skajshëm”, duke ngritur shqetësime për cilësinë e trajnimit të zyrtarëve të rinj të policisë.
Ai i ka bërë thirrje Ministrit të Punëve të Brendshme, Drejtorit të Policisë dhe Kryeministrit që të dalin menjëherë para publikut dhe të japin sqarime për këtë ngjarje të rëndë:
“Sot një djalë i ri 27 vjeçar vdiq në duar të pesë policëve. Mënyra se si pesë police e menaxhuan këtë situatë më së paku mund të quhet pakujdesi dhe amatorizëm i skajshëm. 27 vjeçari vdiq në dorë të shtetit. Shteti permes Ministrit të Punëve të brendshme, Drejtorit të Policisë po edhe vet Kryeministrit do duhej të sqaronin per publikun kete situate sonte. Pesë policet a e kishin trajnimin profesional te duhur per te menaxhuar situata te tilla?
Pse ne vitet e fundit po ndodhin skandale dhe dhunim te drejtave te qytetareve nga police te caktuar? A eshte kjo si rezultat I politikave te reja te LVV qe policet e rinj nga shkollat e mesme te behen police me nje trajnim prej vetem 12 javesh? A ka ndonje politike apo strategji te adresohet ky fenomen? Ne keto vite sa police te rinj i kemi ne rruget e Kosoves me trajnim 12 javor? Kosova gjithmone eshte krenuar me policine sepse ka qene nje force nder me te pregaditurat dhe me profesionalet jo vetem ne rajon por edhe ne krahasim me shtete te BE.”