Ndalimi policëve nga Serbia, liderët institucionalë: Serbia po tregon se është shtet shovenist
Liderët institucionalë të Kosovës kanë dënuar veprimin e Serbisë, e cila dje i ka ndalur disa policë të Kosovës nga komuniteti serb.
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59 të Policisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla kanë vlerësuar se veprimi i shtetit serb për të ndalur pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb është veprim shovenist.
Ata kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve të shtetit serb.
Në adresimin e saj, para kadetëve policorë, shefja e shtetit ka kritikuar ashpër Serbinë.
“Në këto momente 5 policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, nga Serbia. Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t`i rrisin përpjekjet që t`i ndalin mizorit dhe veprimet e tilla shoveniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka vlerësuar se grupi multientik i kadetëve që ka diplomuar sot është përgjigjja më e mirë ndaj veprimeve të Serbisë.
“Por, jam e bindur se betimi i sotëm dhe të gjithë këta kadet dhe ky grup multientik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekje të tilla”, ka thënë Osmani.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar ashpër Serbinë për këto veprime.
“Ceremonisë së sotme, radhëve të menaxhmetit të lartë të Policisë së Kosovës sot i mungon zëvendësdrejtori i Policë së Kosovës nga radhët e komunitet serb Dejan Jankoviq, i cili dje është ndalur dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashkë të Serbisë ashtu siç po mbahen në Serbi edhe katër zyrtarë tjetër policorë”, është shprehur ai, duke thënë se verimi i Serbisë është i paprecedent.
“Ky është një akt i paprecedent i Serbisë, mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës. Ky është një sulm i drejtpërdrejt i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitet serb brenda Policë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë”, ka thënë Sveçla.
Në këtë ceremoni, edhe kryeministri Albin Kurti e ka dënuar veprimin e Serbisë.
Në këtë ceremoni, edhe kryeministri Albin Kurti e ka dënuar veprimin e Serbisë.
Më pas, në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Kurti ka treguar se katër nga pjesëtarët e policisë janë liruar sot.
“Të gjithë policët e ndaluar tashmë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit Dejan Jankoviq. Ai vazhdon të mbahet në burg”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe emrat e pjesëtareve të Policisë së Kosovës që ishin ndalur dhe me pas janë liruar.
Shefi i ekzekutivit ka vlerësuar se ky ishte një veprim hakmarrës i Serbisë.
“Aty ishin edhe Sinisha Miniq, Zoran Marinkoviq, Boban Sivinoviq dhe Ramiz Ibrahimi. Veprimi i Serbisë është veprim i ulët hakmarrës ndaj Kosovës. Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllime skalimi të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon paqja dhe siguria në rajon, sidomos në Kosovë. Serbia është burim i kërcënimit të paqes, stabilitetit të rajonit”, ka thënë Kurti.