NATO "po bën vlerësimet për rritje të qëndrueshëm” të pranisë në Kosovë, Stoltenberg kërkon sërish Asociacionin
NATO është duke “ekzaminuar” mundësitë rreth një shtimi afatgjatë e më të qëndrueshëm të pranisë së trupës paqembajtëse të saj në Kosovës “pas dhunës serioze në veri të Kosovës”, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media pas mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare të Aleancës për Atlantikun e Veriut.
Kjo pasi u pyet nga një gazetar i agjencionit serb të lajmeve “Tanjug” se a po konsiderohet “një rol më i madh” i NATO-s në Kosovë. Stoltenberg u përgjigj se “po”, dhe se kjo faktikisht ka ndodhur “me shtimin e një trupave” të KFOR-it kohëve të fundit.
“Mesazhi im është që NATO do të bëjë çmos për të mirëmbajtur stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme për NATO-n. Kemi histori aty, kemi prezencë aty dhe veç shtuam praninë kohëve të fundit në Kosovë duke shtuar 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë Stoltenberg.
“Tash po e shohim se a duhet të bëjmë një rritje edhe më afatgjate; veçanërisht nëse ka nevojë për shtim të forcave tona (capabilities)”, tha ai, por e përsëriti se “hapi i rëndësishëm” veçse ka ndodhur me shtimin e një mijë trupave në kuadër të KFOR-it.
Stoltenberg sërish përsëriti kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunace të banuara me shumicë serbe, për çka tha se formimi i tij do të përbënte “një hap të rëndësishëm në çuarjen e dialogut drejt një kahu konstruktiv”.
“Jo retorikë nxitëse dhe as veprime që mund të nxisin tensione në veri”, ka thënë ai në një mesazh për liderët kosovarë dhe serbë.
“Pamë dhunë serioze në veri të Kosovës dhe retorikë secesioniste (shkëputëse) në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe përpjekje keqdashëse me përfshirje Rusinë. Së bashku me Përfaqësuesit e Lartë të BE-së do të diskutojmë për të rritur stabilitetin në rajon. NATO-ja ka shtuar mijëra trupa shtesë në Kosovë. Jemi duke shqyrtuar dhe një rritje dhe prezencë më të qëndrueshme në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.
Çka ka thënë Stoltnerbergu gjatë vizitës së tij në rajon?
Forca paqembajtëse e NATO-s në Kosovë është aty “për të siguruar paqen” ndërsa detyrat e zbatimit të ligjit “i takojnë autoriteteve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq këtij të fundit njoftoi se ia ka përçuar një “shqetësim” mëngjesin e sotëm, se “grumbullimi i sërishëm” i forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën “nuk e ndihmon gjendjen”.
Stoltenberg në takimin e tij me Vuçiqin njoftoi ia ka përçuar, siç tha ai, shqetësimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut në lidhje me sulmet ndaj KFOR-it më 29 maj “ku 93 prej ushtarëve tanë pësuan lëndime, disa me lëndime jetësore” si dhe sulmin paraushtarak të 24 shtatorit në Bansjkë të Zveçanit.
“Faktet duhet të zbardhen dhe autorët duhet të sjellen para drejtësisë”, tha Stoltenberg, ndërsa tha se “e mirëpres gatishmërinë e Serbisë për bashkëpunuar në këtë”.
Për sulmin e 24 shtatorit, Stoltenberg ta shkurt se “kjo është e papranueshme” ndërsa “NATO ka dërguar një mijë trupa shtesë dhe armatime më të rënda” dhe se“kjo ka qenë përformcimi më i madh i yni më i madh në Kosovë brenda një dekadë”.
Por, Stoltenberg la të kuptojë që ka pasur “sërish” një grumbullim forcash serbe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi; teksa njoftoi edhe se Vuçiqit i ka folur saktësisht për këtë gjë: “Nuk e ndihmon situatën”, tha ai.
“Siç i thash Vuçiqit gjatë takimit, që grumbullimi ushtarak serb përgjatë vijës administrative përsëri nuk do ta ndihmojë situatën”.
Stoltenberg u pyet nga mediat në lidhje me mbrojtjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe shtimeve të patrullimeve përgjatë vijës kufitare, por sërish u kthye përgjigjes së njëjtë – se KFOR-i “nuk është forcë ligjëzbatuese” dhe se këto janë detyra të autoriteteve kosovare.
“Mendoj se duhet ta kuptoni çfarë NATO bën në Kosovë dhe atë se për çfarë ne s’kemi përgjegjësi në Kosovë”, tha ai.
“Që nga rritja e tensioneve dhe dhunës në veri, NATO ka vendosur të rris praninë e saj. Unë isha dje në veri, dhe çfarë pash është një forcë e përkushtuar e NATO-s që do të thotë se janë aty për të mbrojtur edhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës”.
Gjithashtu, ai foli edhe për “rishikimin” e pranisë së trupave paqembajtëse të NATO-s në Kosovë në një “bazë më të qëndrueshme”.
Stoltenberg, mes tjerash, njoftoi se “gjatë takimit folëm për vazhdimin e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes NATO-s dhe Ushtrisë së Serbisë, dhe mirëpritëm për rinisjen e këtyre ushtrimeve”.
“NATO ka dërguar një mijë trupa shtesë dhe armatime më të rënda; kjo ka qenë përformcimi më i madh i yni më i madh në Kosovë brenda një dekadë...E mirëpres koordinimin e vazhueshëm me Forcat Ushtarake të Serbisë dhe KFOR-it, kjo është e rëndësishme për të ndarë informacione kohore për të shmangur çfarëdo keqkuptimi”, ka thënë Jens Stoltenberg.