Nacionalja i sygjeron katër vende për 'hiking' presidentes Vjosa Osmani
Presidentja Vjosa Osmani kohëve të fundit është bërë më aktive në mirëmbajtjen e raporteve me qytetarët. Një vit nga kur u zgjodh presidente, e para e vendit ka filluar një turne vizitash nëpër qytetet e Kosovës. Krahas vizitave, Osmani ka zgjedhur një formë të re të komunikimit me qytetarët e vendit.
Pyetje dhe përgjigjet në Instagram është metoda e re të cilën ka përzgjedhur Osmani të komunikojë me kosovarët, ndonëse një qasje e tillë nuk është krejt transparente pas presidentja mund të përzgjedhë pyetet që dëshiron t’u përgjigjet.
Sidoqoftë, ajo çfarë ra në sy ishte interesimi i Osmanit për alpinizëm.
Madje në pyetjen se “a po vjen në hiking?”, Osmani shkroi se është duke i pritur rekomandimet për vendet më të mira.
Duke parë dëshirën e presidentes Osmani për të vizituar ‘vende të mira’ e për aktivitet, Gazeta Nacionale i ofron një listë prej vendeve kryesore që e shefja e shtetit do të duhej ta qëndronte.
Veriu i Kosovës
Besojmë që hapësira gjeografike ku këmba e presidentes duhet të shkel, është pjesa veriore e Kosovës.
Më saktësisht, udhëtimi prej alpiniste e Osmanit duhet të fillojë nga Zubin Potoku. Dhe për këtë ka shumë arsye, të cilat nuk mund të listohen në një shkrim të shkurtër si ky i yni.
Një vizitë për ‘hiking’ në malet e Zubin Potokut do të dërgonte një sinjal të trefishtë.
I pari mesazh do t’u drejtohej qytetarët serbë që janë shumicë në atë pjesë të Kosovës. Pra, udhëtimi i Presidentes në Zubin Potok për çështje alpinizmi do të tregonte që ajo është presidente edhe e serbëve. Madje, inkurajojmë presidenten Osmani të ftojë serbët lokal për të ecur së bashku me të në malet e veriut të vendit.
Mesazhi i dytë do të siguronte gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës se Zubin Potoku mund të vizitohet për alpinizëm. Pra aspekti i sigurisë do të vihej në theks pasi që majin e vitit të kaluar, një grup i alpinistëve ishte sulmuar në Zubin Potok me armë zjarri.
Mesazhi i tretë do të shënjonte mundësinë e ringjalljes së turizmit malor në atë pjesë pak të vizituar si pasojë e ekzistencës së frikës për pasiguri.
Kulla e Isa Boletinit në Zveçan është një nga pikat e rëndësishme nga aspekti historik e që Osmani duhet ta ketë në mendje gjatë vizitës në veri.
Osmani mund ta kalojë një ditë të mirë në malet e bukura të Leposaviçit.
E nga aty, presidentja me epiken e saj mund të vizitojë Mitrovicën e Veriut, të cilën ende nuk e ka bërë që kur mori detyrën e saj.
Por rrugës, besojmë që Osmani duhet të ndalet tek vendi ku polici Enver Zymberi, hero i Kosovës, ra në krye të detyrës në vitin 2011.
Një ecje në sheshin kryesor të komunës së udhëhequr nga Lista Serbe e pastaj vizita në lagjet e shqiptarëve që jetojnë në veri që banojnë duhet të përfshihet në itinerarin e komandantes supreme.
Por, ne i rekomandojmë të vizitojë edhe familjen e Kadri Veselit, ish kreut të Kuvendit, PDK-së e ish liderit të UÇK-së.
Obiliqi
Shumë njerëz vizitojnë Majën e Zezë në Obiliq, që është kthyer në një nga pikat turistike të kësaj komune.
Por, ne i propozojmë Presidentes një vend tjetër për ta vizituar në këtë komunë.
Në Obiliq, Presidentja duhet të qëndrojë në Plemetin ku ende jetojnë shumë familje me përkatësi rome e ashkalinje.
Siç kanë raportuar mediat në vazhdimësi, kushtet e jetesës së tyre janë të rënda e përqindja e papunësisë shumë e madhe.
Një vizitë tek qytetarët e komunitetit rom e ashkali do të dërgonte sinjalin se ata nuk janë të harruar dhe se Kosova është e të gjithëve.
Aty presidentja mund të përballet me një Kosovë pak më ndryshe nga ajo e narratives së Qeverisë, e cila proklamon zhvillim të madh ekonomik në vitin e fundit.
Po ashtu, në Plemetin Osmani mund ta kuptojë që Kosova vazhdon të mbetet vend i diskriminimit dhe që pakicat ende nuk kanë qasje të barabartë në punësim.
Drenica
Skenderaji e Drenasi janë dy komunat e rëndësishme të Kosovës qendrore e ku presidentja duhet të qëndrojë medoemos.
Familja e ish presidentit Hashim Thaçi, i cili gjendet i paraburgosur në Hagë, është një nga konakët të cilin Osmani mund të zgjedh ta vizitojë në turneun e saj ‘alpinik’.
Një vizitë e tillë, do të tregonte që Presidentja është e të gjithëve dhe si përfaqësuese e ‘unitetit të qytetarëve’ tejkalon inatet e dikurshme politike me ish udhëheqësin e UÇK-së.
Në Drenicë janë edhe shumë vende të tjera të rëndësishme për t’u vizituar, qoftë vende piktoreske apo vende me rëndësi historike.
P.sh. vizita në familjet e dëshmorëve, të invalidëve apo veteranëve të UÇK-së duhet të jenë pjesë e agjendës së presidentes. Dëshironi shembuj: familja Gucati, Selimi, Jashari, Lushtaku etj., janë disa nga vendet ku Osmani mund të kalojë një ditë të këndshme.
Vizita në familjen e Sheremet Sejdiut në Çirez është e rekomandueshme pasi që aty Presidentja mund të dëgjojë rrëfimin e jashtëzakonshëm të plakut nga Drenica, të cilit serbët i vran katër djemtë.
E nga aty, një pjesë tjetër e Kosovës meriton vizitën e Presidentes.
Deçani e Gjakova
Dera e familjes Haradinaj mirëpret vazhdimisht vizita. Në Gllogjan, Osmani mund të përkulet tek varret e dëshmorëve të Kosovës, të cilët prehen në paqe në këtë fshat që kontribuoi shumë gjatë luftës.
Një kafe në konakun e Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, do të dërgonte mesazhe të qarta se Osmani mirëmban marrëdhëniet e duhura me gjithë spektrin politik. Ashtu edhe i takon sipas funksionit që kryen.
Krahas vizitës në Deçan, Presidentja mund të qëndrojë edhe në Jabllanicë tek familja e Lah Brahimajt, ish komandantit të UÇK-së.
Edhe Prizreni e malet e saj të bukura janë një nga destinacionet e mundshme të Osmanit.
Por, e para e vendit mund vizitojë edhe regjionet e tjera të Kosovës si Llapin, Gollakun e Anamoravën, të cilat kanë po ashtu vende turistike, por edhe lokalitete me vlera historike.
Osmani mund të udhëtojë nga njëri regjion i Kosovës tek tjetri nën shoqërimin e këngëve të Dua Lipës, këngëtares së preferuar të saj.