“Na e cenoi integritetin”: Çka bëri Avdullah Hoti në Tajvan që e “trazoi” Kinën?
Republika Popullore e Kinës, që ka mbi 1 miliard e 400 milionë njerëz, ka reaguar ndaj një vizite të Avdullah Hotit, deputet i LDK-së dhe të disa deputetëve tjerë të Kosovës në Tajvan.
Pala kineze ka thënë se politikanët e Kosovës kanë cenuar integritetin territorial të Republikës Popullore të Kinës gjatë vizitës së tyre në rajonin kinez të Tajvanit dhe ka kërkuar të ndalojnë menjëherë manovrat e tilla politike.
“Ky veprim cenon rëndë sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës dhe ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës, gjë që pala kineze e kundërshton me vendosmëri. Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez dhe çështja e Tajvanit është thjesht një çështje e brendshme e Kinës dhe asnjë forcë e jashtme nuk mund të ndërhyjë në të” – deklaroi ambasada kineze.
Në fakt, për vizitën në Tajvan, kishte shkruar edhe z. Hoti në një postim në faqen e tij në Facebook. Ai tregoi se e mbajti një fjalim rasti në një forum në Tajvan.
“Sot, në hapje të Forumit për Transparencë dhe Monitorim Parlamentar në Tajvan, pata nderin tu drejtohesha deputetëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga shumë vende të botës. E falënderova NDI nga SHBA, WFD nga Britania e Madhe dhe CCË nga Tajvani për ftesën dhe mundësinë që tu drejtohem të pranishmëve në këtë Forum.” – shkroi ndër të tjera z. Hoti.
