Musliu: 23 vjet pas lufte, Drenica është braktisur nga qeveria dhe institucionet e vendit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu pas vërshimeve ka shkruar se Drenica po e përjeton një situatë shumë të rëndë,
Musliu përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se 23 vjet pas lufte, Drenica është braktisur nga qeveria dhe nga institucionet e vendit.
“Drenica e bashkuar dhe e fortë. Drenica po e përjeton një situatë shumë të rëndë. Vërshimet shkaktuan shumë dëme materiale, por me devotshmëri jemi edhe të lumtur që nuk kemi humbje në njerëz. 23 vjet pas lufte, Drenica është braktisur nga qeveria dhe nga institucionet e vendit. Kjo qasje na e sjell ndërmend të kaluarën; Diferencimet, anashkalimet, dhe ofendimet si trevë dhe si qytetarë të kësaj treve heroike dhe shumë fisnike.” – ka shkruar ajo.
Sipas deputetës së PDK-së, Kryeministri Albin Kurti Drenicën e ka parë si trevë të huaj.
“Albin Kurti, gjatë gjithë jetës së tij (si i rritur) këtë trevë e ka parë si të huaj. Gjatë fushatës na e mbushi sheshin me forca speciale me të vetmin qëllim, transmetimin e një imazhi të keq për këtë trevë e për këta qytetarë. Tani, kur vërshimet e përfshinë pothuajse të gjithë territorin e Komunës, Albini si Kryeministër nuk e thotë dot as edhe një fjalë, nuk transmeton as edhe një mesazh. Pse? Për të vetmen arsye, sepse mendësia e tij nuk dallon nga mendësia e ish sistemeve komuniste. Turp për ty Albin Kurti.” – ka shkruar Musliu.
Deputetja Musliu i ka thënë Kurtit se si me solidaritetin e tij e si pa të, Drenica do të ngrihet edhe më e fortë.
“Mbaje mend Albin Kurti se Drenica si me solidaritetin tënd si pa të, si me përgjegjësinë tënde si pa të, si me obligimin tënd si pa të, do të ngrihet edhe më e fortë, njëjtë siç e ka dëshmuar përgjatë gjithë historisë. Ne i përballojmë sfidat me shumë dinjitet, por nuk i tolerojmë dhe nuk i harrojmë kurrë paragjykimet dhe ofendimet, aq më pak kur këto na bëhën të orkestruara nga sistemi shtetëror.” – ka përfunduar Musliu.
