Degradimet e lumenjve po ndikojnë në shtimin e vërshimeve - NACIONALE

Degradimet e lumenjve po ndikojnë në shtimin e vërshimeve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pjesë të caktuara të Kosovës sërish janë përmbytur nga vërshimet. Të reshurat e dendura të shiut në dy ditët e fundit kanë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës. Më të prekurat janë komuna e Skenderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut.

Njohësit e çështjeve të emergjencave kanë treguar faktorët që po ndikojnë në shtimin e vërshimeve në Kosovës.

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, ka thënë për gazetën Nacionale se degradimi i lumenjve është prej faktorëve kryesor që ka ndikuar në këtë drejtim.

“Vërshimet hyjnë në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si të tilla janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në raste ekstreme këto vërshimeve mund të rrezikojnë jetën e njerëzve. Ka disa faktor që ndikojnë që të kemi vërshime, se pari jemi në sezonin e reshjeve me të dendura. Por, nder faktorët që po ndikojnë në përmbytje e duhet përmendur është degradimi i lumenjve që nga paslufta me që rast janë dëmtuar”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe faktorët e vërshimeve në vendbanimet urbane.

Sipas tij, faktor kyç në vërshimet e qyteteve është mbyllja e kanalizimeve.

“Shtretërit e lumenjve, pastaj përroskat bllokohen nga mbeturinat e ndryshme. Ndërsa, në vendbanime urbane kryesisht ndodhin për shkak të infrastrukturës së dobët nëntokësore (rrjetit te ujësjellsit dhe kanalizimit)”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se cilat pjesë të Kosovës janë më të rrezikuar nga vërshimet.

Sipas Tahirit, pjesa perëndimore e Kosovës është më e rrezikuar nga vërshimet.

“Mund të themi që varësisht nga të reshurat, vërshimet po kemi në pothuajse në të gjithë vendin, por me se shpeshti po goditet pjesa perëndimore e Kosovës. Pra, rrafshi i Dukagjinit dhe pjesa qendrore e Kosovës”, ka thënë ai.

Tahiri ka bërë me dije se institucionet komunave çdo herë duhet të jenë në gjendje gatishmëria gjatë sezonit të reshjeve.

“Drejtorit Komunale të Emergjencave, në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), por edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duhet t’i vënë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme, në mënyrë që t’i dilet në ndihmë popullatës së rrezikuar nga vërshimet e mundshme. Siguria e qytetarëve është dhe duhet të jetë primare”, është shprehur ai.

Kosova një ditë pas vërshimeve

Pamjet që vijnë nga komunat e Kosovës një ditë pas vërshimeve, janë të tmerrshme.

Gjatë natës se kaluar janë evakuuar qindra qytetarë nga shërbimet emergjente.

Në ndihmë iu kishin dal edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot në mëngjes, kryeministri Albin Kurti, ka vizituar komunën e Istogut, ku është zotuar se Qeveria do të iu qëndroj pranë qytetarëve të prekur nga vërshimet.

“Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.” – shkroi Kurti në Facebook.

Ndërsa, kryetarët e komunave të prekur nga vërshimet kanë bërë me dije se dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

Në një prononcim për Nacionalen, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka treguar për gjendjen në komunën e tij.

“Ka shumë familje të evakuume në fshatra edhe me vetëiniciativa, por kemi pasur edhe ndihmën nga zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit nga Peja, Gjakova, Rahoveci dhe Suhareka. Dëmët janë jashtëzakonisht të mëdha. Unë aktualisht jam në teren duke identifikuar zonat se ku ka pasur dalje, kryesisht nga Lumi Klina”, ka thënë Elezaj.

Pavarësisht dëmeve të mëdha në pronat private dhe publike, nga vërshimet nuk ka pasur asnjë viktimë.

Lajme të ngjashme