Musliu: Lista Serbe të shpallet organizatë kriminale, deputetët e saj nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kuvend
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që Lista Serbe ta shpallë organizatë kriminale.
Ajo ka thënë se deputetët e të gjitha partive politike duhet të mobilizohen dhe të mos i lejojnë deputetët e Listës Serbe të futen më në Kuvendin e Kosovës.
Sipas saj, kjo partia politike ka nderuar terroristët që kishin sulmuar në Banjskë dhe duhet të ndëshkohet.
“Unë mendoj se duhet të mobilizohemi në të gjitha mënyrat që Lista Serbe mos të futet më në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë pres që këto ditë Qeveria e Republikës së Kosovës njëjtë siç ka bërë edhe me organizata të tjera kriminale në Serbi që i ka shpallur organizata kriminale. Unë mendoj se duhet të veprohet njëjtë dhe të kërkoj që ti propozoj organeve të drejtësisë që Listën Serbe ta shpallë një organizatë e cila mbështet terrorizmin dhe nuk ka të drejtë të futet në Kuvend sepse nuk ka asnjë kuptim më që në këto ulëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës të ulet Lista Serbe e cila shpallë tri ditë zie për terroristët të cilët vranë policin Afrim Bunjaku dhe destabilizuan komplet vendin”, ka thënë Musliu për Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se tashmë ekziston një mënyrë se si bëhet ndalimi i deputetëve për të hyr në Kuvend.
Sipas saj, të njëjtën gjë dikur e ka bërë VV-ja për të penguar hyrjen e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së.
“Nuk kam biseduar me deputetë por ne kemi precedane kur deputetët janë organizuar dhe i kanë penguar deputetët e tjerë për të hyrë në sallë. Vet fakti që ju e dini se disa herë Lëvizja Vetëvendosje kur ishte në opozitë na i ka mbyllë dyert e Kuvendit saqë ka ardhë edhe deri të grushtimi i ambasadores amerikane atëherë. Unë mendoj që me pak vullnet edhe me pak organizim, nëse jo organet e drejtësisë gjithmonë po them si deputet mund të iu pamundësojmë pjesëmarrjen në seancë”, ka thënë ajo.