Murati: Ripërcaktimi i kufijve, shansi i artë që humbëm për marrëveshjen finale me Serbinë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, duke folur për situatën në vend ka thënë se Kosova ka humbur mundësinë për arritjen e marrëveshjes më Serbinë, pasi ka refuzuar idenë e ripërcaktimit të kufijve.
Murati në EkonomiaOnline ka thënë se përmes idesë së shkëmbimit të territoreve, Kosova e ka humbur mundësinë e artë që ta marrë njohjen nga Serbia.
“Ne nuk e quajmë shkëmbim por ripërcaktim të kufijve duke u bazuar në vullnetin e popullit, dhe mendoj që është ideja e vetme që e zgjidh problemin, është ideja më e drejtë për të dyja popujt e cila e qel rrugën e paqes, stabilitetit dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. E trajton drejtë problemin e shqiptarëve në Luginë e të cilët kanë qenë pjesë e të gjitha proceseve të Pavarësisë e Lirisë së Kosovës, pra bëhemi pak më të drejtë si Kosovë, por është edhe në interes të Kosovës. Këtë është dashur ta bëjmë që nga fillimi, është bërë në një moment të caktuar, është hap tema e korrigjimit të kufijve në vitin 2018, e cila fatkeqësisht u refuzua nga opinioni”, u shpreh Murati, duke thënë se pro këtij shkëmbimi ka pasur shtete që e kanë përkrahur, duke përjashtuar Gjermaninë.
Sipas tij, presioni i ndërkombëtareve ndaj kryeministrit, Albin Kurti për formimin e Asociacionit po bëhet për shkak të refuzimit të ripërcaktimit të kufijve.
“Asociacioni në vetvete qoftë me kompetenca e qoftë pa kompetenca ekzekutive, është një gur i rëndë në qafën e shtetit të brishtë të Kosovës. Kosova me këtë Kushtetutë që e ka me votën e dyfishtë për serbët e privilegjet që i ka, është një shtet jo krejt funksional, në mundësi që çdo herë serbët ta bllokojnë nën ndikimin e Beogradit, shtoja kësaj një Asociacion. Asociacioni është një element i bosnjëzimit, sigurisht nuk është krejtësisht, sepse në Kosovë janë më shumë se 90 për qind shqiptarë dhe nuk mund të shkojë jofunksionaliteti deri në atë masë sa është në Bosnjë, por ne i kemi të gjitha mundësitë që këtë ta zgjidhim pa Asociacion. Mos të harrojmë se presioni për Asociacionin ka shkuar duke u rrit, për shkak se i ke refuzuar të gjitha projektet tjera, ti e ke refuzuar ripërcaktimin”, ka thënë ai.
