Murati ngel në ABC-në e koncepteve ekonomike, pastaj demanton edhe vetveten për 'meritat e qeverisë'
- Qarkullimin e bizneseve – një shifër nominale e pa indeksuar me inflacion, provoi ta shesë si një metrikë suksesi të qeverisë.
- Qarkullimin e bizneseve, qoftë ai nominal apo real, e trumpetoi si pasojë të veprimeve qeveritare – për ta demantuar më pas edhe vetën, duke deklaruar se rritja e fitimeve të bizneseve u bë “në kurriz të qytetarëve”.
Profili në Facebook i Ministrit në Detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u mbush mëngjesin e kësaj të shtune me një mori kontradiktash, propagandë të pastër dhe mosdije të pabesueshme për koncepte themelore ekonomike.
Bëhet fjalë për një koncept elementar në ekonomi. Rritja nominale e qarkullimit të bizneseve nuk përbën kurrfarë indikatori pa kompasin e inflacionit. Në rastin konkret, indeksimi i inflacionit është thelbësor për të kalkuluar vlerën reale të qarkullimit të bizneseve, të cilën Murati s'e mori parasysh
Për Muratin dhe shefin e tij, ish-kryeministrin Albin Kurti, paraqitja e shifrave pa i indeksuar me inflacionin mori përmasa groteske në vitet e fundit.
Rasti konkret:
“Qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 💶 10.7 miliardë eurove.
Kjo paraqet një rritje prej 📈10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.
Si Qeveri jemi përkujdesur që të rrisim mbështetjen për bizneset...”.
Pa e artikuluar asnjëherë fjalën “inflacion”, ministri në detyrë na dorëzoi këtë “rekord” si dëshmi të suksesit qeveritar.
Si një ministër që udhëhoqi financat e shtetit gjatë një periudhe kur inflacioni në Kosovë arriti nivele të paprecendeta, Murati tentoi t’i shesë shifra nominale si “arritje”, duke injoruar hijen e errët të inflacionit në 6 muajt e parë të vitit 2025 dhe atij kumulativ katër vjeçar.
Në këtë periudhë, inflacioni iu rikthye rrjedhës negative si shkak-pasojë e pritjeve për rritje çmimesh, të nxitura nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë [lexo: Qeverisë Kurti] për daljen në treg të lirë.
Postimi i Muratit, ku ai përpiqej t'i shpjegonte avokatit Arianit Kocit se "Qarkullimin e rritë rritja e të ardhurave të familjes/fuqisë blerëse, jo inflacioni." – teksa ky i fundit i sqaronte se se në rritjen nominale kishte rol edhe inflacioni – nxori në pah një mungesë të pabesueshme të kuptimit të koncepteve themelore ekonomike.
Qarkullimi mund të ndikohet nga disa faktorë, përfshirë edhe fuqinë blerëse të qytetarëve. Megjithatë, inflacion ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e qarkullimit nominal.
ABC-në e efektit të rritjes së çmimeve mbi qarkullimin ia shpjegoi Muratit deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami:
“Tregoni ekonomistit - interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre.
Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë.” – tha Bajrami.
Madje, Bajrami e ftoi Muratin për debat publik nëse refuzon të pajtohet me një shpjegim të tillë. “Nëse nuk pajtohet me faktet dhe konceptet, unë jam gati për përballje veç le ta cakton kohën dhe vendin.”
Reagimi i Bajramit e çoi Muratin në një kontradiktë tjetër, duke demantuar vetveten se qeveria kishte ndonjë rol në rritjen e qarkullimit të bizneseve.
Në një tjetër reagim, Murati e rrotullon argumentin 180 gradë dhe sulmon bizneset për rritjen e fitimeve "në kurriz të qytetarëve".
“Dhe ishte pikërisht LDK-ja me ekonomistët e saj, që sot derdhin lot krokodili për inflacionin, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Çmime Tavan, për të mundësuar supermarketet të rrisnin çmimet në kurriz të qytetarëve.” – shkroi Murati nder te tjera.