Murati mashtron diasporën: Ia lë fajin KQZ-së për kufizim të votuesve në ambasada, “harron” se ligjin e votoi VV-ja në Kuvend - NACIONALE

Murati mashtron diasporën: Ia lë fajin KQZ-së për kufizim të votuesve në ambasada, “harron” se ligjin e votoi VV-ja në Kuvend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Ekonomisë dhe Tranfereve, Hekuran Murati, për një moment ka lënë anash propagandën me shifrave. Dje, ai ka zgjedhur të merret me zgjedhjet nacionale dhe diasporën.

Edhe këtu shefi i financave ka vendosur të mos e thotë të vërtetën.

Përmes një video të publikuar në profilin e tij në “Facebook”, Murati ka akuzuar opozitën dhe KQZ-në se po duan ta pengojnë votën e diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në fakt, ai ka akuzuar KQZ-në si organ i pavarur kushtetues vetëm pse po e zbaton Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme për miratimin e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike dhe caktimin e numrit të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike.

Ndonëse caktimi i qendrave të votimit dhe numrit të votuesve jashtë Kosovës është i përcaktuar me ligj, ai thotë se këtë po e bën opozita përmes përfaqësuesve të saj në KQZ.

Është një fakt shqetësues, që opozita e cila ka shumicën në KQZ dhe përmes kësaj shumice ka marrë vendim që numri i personave që mund të votojnë fizikisht në ambasada dhe konsullata të kufizohet në vetëm në 1,000 persona për ambasadë apo konsullatë. Kjo nënkupton që për shtete si Gjermania apo Zvicra ku kemi qindra-mijëra bashkëatdhetarë, numri i personave që mund të votojnë fizikisht në ambasada apo konsullata të jetë i kufizuar në 1,000 apo 2,000 varësisht nga numri i ambasadës apo konsullatave. Pra, po tentohet të kufizohet vota e juaj”, ka thënë Murati.

Ndër të tjera, ai ka ftuar diasporën që të t`i shfrytëzojnë edhe alternativat tjera për të votuar.

Caktimi i numrit të votuesve për çdo përfaqësi diplomatike kërkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe një vendim të tillë duhet ta marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është miratuar nga KQZ-ja, por nga Kuvendi i Kosovës me konsensus të të gjitha partive politike në Kosovë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në kohën e miratimit të ligjit kishte 50% të deputetëve të Kuvendit.

Sipas nenit 82, paragrafit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme “numri maksimal i votuesve në qendrat e votimit të hapura në përfaqësitë diplomatike, përcaktohet paraprakisht me vendim të veçantë dhe bazohet, përveç tjerash, edhe në vlerësimet e KQZ-së për kushtet e objektit dhe hapësirat përkatëse të tij”.

Gjithashtu, edhe në nenin 96, paragrafi 8, është obligim i KQZ-së që “të marrë vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve në secilën përfaqësi diplomatike”.

Gazeta Nacionale ka raportuar prej kohësh për tendencat e hapura të Qeverisë së Kosovës për të ndërhyrë në procesin e votimit jashtë Kosovës.

Një gjë të tillë, Qeveria e Kosovës e ka bërë disa herë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Fillimisht, kjo ministri e kishte ndihmuar VV-në që të ankohet në PZAP për të kontestuar vendimin e KQZ-së për caktimin e numrit të votuesve që mund të votojnë në konsullata dhe ambasada.

Edhe pasi PZAP-i dhe Gjykata Supreme ia rrëzuan ankesën pushtetit dhe i dhanë të drejtë KQZ-së, MPJD-ja ka vazhduar përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje.

Ministria e Drejtuar nga Donika Gërvalla ka hartuar memorandumin bashkëpunimi përmes të cilit ka kërkuar kompetenca KQZ-së për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve jashtë Kosovë.

Pasi KQZ-ja e ka refuzuar një memorandum të tillë, MPJD-ja ka bërë edhe një përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.

Para një jave, kryediplomatja Gërvalla i ka nisur një letër kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit.

Në letrën që e ka publikuar gazeta Nacionale, Gërvalla i kërkon kryetarit të KQZ-së miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë Kosovë.

Gjitha këto veprime po vlerësohen si përpjekje të pushtetit për të devijuar procesin zgjedhor.

Lajme të ngjashme