Mungesë strategjie, grackat e Serbisë: Qysh u deklasua sot Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës?
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ishte sot në interpelancën e thirrur nga AAK-ja. Por, s’ishte AAK-ja e vetmja që i kërkoi llogari atij. Ai u vu në pozitë të palakmueshme në disa raste, duke treguar mungesë të dijes mbi atë se çfarë do të ndodhte në vijim. Çka ndodhi deri tash në Kuvend?
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm pas dorëheqjes së qindra zyrtarëve serbë nga institucionet e Republikës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur se kthimi i tyre do të ndodhte vetëm pas “formimit të Asociacionit”.
Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se një intervistë skandaloze e Kurtit nuk përmbante pjesën më kryesore të saj. Me gazetarin Michael Martens që e pranoi se e kishte hequr.
Kjo intervistë ishte e rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si Kurti kishte marrë vendimet e tij mes 21 dhe 23 nëntorit, që çoi njëkohshëm në qortim të ashpër nga BE-ja dhe në një kompromis të dhimbshëm për targat.
I pastrategji
Kryeministri i vendit u evidentua se ishte pa strategji për situatën në veri të Kosovës. Ishte kryetari i LDK-së dhe ai i AAK-së që i mëshuan më së shumti mungesës së kësaj strategjia për ta rikthyer normalitetin në veri të vendit.
“Derisa po flasim këtu, mbi 17 për qind e territorit të Kosovës është pa polici, pa gjyqtarë... Sot nuk mund ta zgjidhim një dhunë familjare në veri, një aksident. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës?!” – tha Abdixhiku në fjalën e tij.
Përgjigja e Kurtit? Nuk ka pasur asnjëherë normalitet. Ai u shpreh se meqë ata kishin dhënë dorëheqje, nënkuptonte se kishin punuar gjithmonë për Beogradin. Në fakt, dorëheqje nga institucionet kanë dhënë edhe shumë zyrtarë të cilët ishin lojalë ndaj shtetit të Kosovës, dhe kjo e bën deklaratën e kryeministrit skandaloze.
“Kjo i bie që ata (serbët e Kosovës që dhanë dorëheqje) kanë qenë gjithmonë të Beogradit!” – u shpreh arbitrarisht kryeministri i Kosovës, përkundër që situata ishte shumë më komplekse.
Ai nuk kishte asnjë fjalë për të treguar se si do të bindte serbët e tjerë që të zëvendësonin në detyra zyrtare serbët që kishin dhënë dorëheqje.
Ra në gracka të Serbisë
Se kryeministri i Kosovës ka rënë në gracka të Serbisë është thënë edhe më herët nga analistë tjerë. Por, në mënyrë më ilustruese në Kuvend këtë gjë e argumentoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kosova është dashur prej fillimit të mos binte në dy gracka bazike: në atë të destabilizimit (që ndodhi) dhe nuk duhej të merrte fajësinë nga aleatët tanë (që ndodhi).” – u shpreh Abdixhiku.
“Duhet punë bukur e rëndë, që një Serbi të sotme ta vendosim nën hijen e fajësimeve për neve. Bukur vështirë është si proces,” – vazhdoi kryeministri i Kosovës.
Ambasadori
Atij iu përmend edhe intervista skandaloze që e bëri për një gazetar gjerman, e në të cilën kishte thënë që bëri kompromis pasi ambasadori amerikan i ndau disa informacione të rëndësishme.
“Po shtiren të befasuar pse ambasadori amerikan di më shumë se kryeministri,” – u shpreh ai.
Ndërkohë, Abdixhiku atij i përmendi edhe zotimin për respektimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
Kjo është hera e parë që një kryeministër i Kosovës ndodhet në një pozitë të tillë në Kuvendin e Kosovës. Në një moment, madje Kurti duke treguar që nuk kishte asnjë deputet të LDK-së në Kuvend, u shpreh se "deputeti e ka rrogën më të madhe se kryeministri". Por, ai nuk dha përgjigje për asnjë pyetje të rëndësishme opozitare.


