Sallahu e shkarkoi nga pozita e përmbaruesit privat, Mulhaxha: Faji më i madh që jam vëlla i deputetes
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për pushim nga puna ndaj përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha.
Pas kësaj ka reaguar Mulhaxha i cili ka thënë se nuk ka pranuar ende vendimin e komisionit dhe nuk e di për cilat shkelje ligjore pretendohet.
“Informoj opinionin publik se unë, Ilir Mulhaxha, jam pushuar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat përmes Facebook-ut të zv. ministrit Blerim Sallahu!!!!! Unë nuk kam pranuar ende vendimin e komisionit dhe nuk e di për cilat shkelje ligjore pretendohet! Gjithashtu, ende deri në ditën e sotme nuk e kam parë procesverbalin e seancës dëgjimore, të cilin Ministria ende nuk ma ka dorëzuar që ta nënshkruaj dhe të njëjtin ta pranoj.” – ka shkruar ai.
Mulhaxha tutje ka thënë se për 8 vite punë të tij si përmbarues privat, asnjëherë nuk i është shqiptuar ndonjë vërejtje, por sipas tij është vlerësuar si një ndër përmbaruesit më të suksesshëm në Kosovë.
“Me bindje të plotë deklaroj se unë si përmbarues privat, që ushtroj këtë profesion për më shumë se 8 vite, fillimisht në një institucion prestigjioz bankar dhe disa vite si përmbarues privat, deri tani nuk më është shqiptuar asnjë vërejtje, përkundrazi jam vlerësuar si një ndër përmbaruesit më të suksesshëm në Kosovë. Me përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore deklaroj se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore por vetëm kam zbatuar vendimet e formës së prerë të gjykatës deri tani.” – ka shkruar ai.
Tutje Mulhaxha ka thënë se faj më i madh i tij është që është vëllai i deputetes.
“Këtë gjë e kam dëshmuar deri tani vetëm përmes procedurave ligjore, si në rastin e parë, dhe do të vazhdoj njëjtë, mirëpo ngarendja e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë për të bërë gjyqësinë përmes Facebook-ut, jam i detyruar që dhe unë tash e tutje ta ndjek rrugën edhe përmes mediave. Po, unë kam vetëm një faj, që ushtroj profesionin e përmbaruesit privat, mirëpo si duket fajin më të madh e kam që jam vëllai i deputetes.” – ka përfunduar ai.
