Muharemi: Shtimi i forcave të KFOR-it mbi urë dhe reagimet e aleatëve tregon ndryshimin e diskursit - NACIONALE

Muharemi: Shtimi i forcave të KFOR-it mbi urë dhe reagimet e aleatëve tregon ndryshimin e diskursit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri.

Ai ka treguar se shtimi i forcave të KFOR-it mbi urën e Ibrit tregojnë për një situatë urgjente.

Një gjë të tillë, sipas tij, e tregojnë edhe reagimet e mbrëmshme të ShBA-së dhe aleatëve.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se po të ishte situata më e qet, këto reagime do të mund të liheshin për sot.

“Forcat e shtuara të KFOR-it në Urën Ibër sot janë si rezultat i vazhdimit dje të veprimeve të njëanshme për ligjshmëri në veri të Kosovës. Ndoshta pas vizitës dhe takimeve të drejtorit të CIA me Kryeministrin ka qenë një kuptueshmëri-marrëveshje gjentëllmene që të 'pauzohen' veprimet në veri për një periudhë, por kjo nuk ndodhi. Andaj, reagimet dje në mesnatë vonë nga SHBA dhe pastaj të koordinuara nga QUINT-it sinjalizuan një ashpërsim dhe ndryshim të diskursit. Kjo në vete tregon një reagim 'emergjent', se përndryshe kishin reaguar sot mëngjez apo të hënën”, ka shkruar ai.

Sipas Muharemi, kjo situatë nuk është e favorshme për Kosovën.

“Situata e krijuar nuk është e mirë, për shkak se po krijohet një gjendje e sigurisë. Kur KFOR hyn në lojë apo edhe e merr përsipër një perimetër të territorit, ai vend mund të bëhet një vend i vecant. Situata në veri, pas përparimit të bërë, kërkon maturi, por gjithashtu veprime të forcës së butë. Më shumë përkushtim në komunikim me komunitetet dhe investime biznesore dhe ekonomike që qytetarët lokal të kuptojnë që ligjshmëria nënkupton mirëqenie më të mirë dhe prosperitet në të ardhmën. Përshkallëzimi i sigurisë, sidomos veprime që largojnë aleatët tanë nga Ministria e Brendshme dhe Policia me të cilët kanë bashkëpunuar me dekata, mund të sjellin situata të pafavorshme për Kosovën”, ka shkruar ai, duke shtuar se edhe me ligjshmërinë duhet të bëhet kujës.

“Edhe pse ligjshmëria është e rëndësishme, ajo duhet të kompletohet me veprime të buta dhe të jetë senzitive me kontekstin rajonal dhe global. Ligjshmëria në veri nuk duhet të vie me kosto të sankcioneve dhe prishjes së marrëdhënieve. Sovraniteti and integriteti territorial ende ruhet nga KFOR i drejtuar nga SHBA, rrjedhimisht Kosova e ndanë sovranitetin e saj në fushën e sigurisë me NATO. Për këtë arsye, edhe veprimet që ndërlidhen me siguri, nuk duhet të bëhen njëashëm, pamvarsisht se ato janë të drejta dhe ligjore dhe për të mirën e komuniteteve. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjënë e duhur, e jo medomos atë të drejt. Një operacion i suksesshëm ku pacienti nuk mbijeton, është një dështim për të gjithë”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme