MPJD lëshon komunikatë për ish-policin e arrestuar në Serbi: Po mbajmë kontakte veçanërisht me ambasaden gjermane - NACIONALE

MPJD lëshon komunikatë për ish-policin e arrestuar në Serbi: Po mbajmë kontakte veçanërisht me ambasaden gjermane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka lëshuar komunikatë në lidhje me arrestimin e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe. Spahiut iu caktua një muaj paraburgim në Serbi nën akuzat për vrasje të rëndë në Banjskë, më 24 shtator 2023, anipse ai kishte dhënë dorëheqje nga policia në vitin 2022.

MPJD ka thënë se janë në kontakt me të gjithë faktorët relevant që Spahiu të lirohet, në mënyrë të veçant me ambasadën gjermane, meqenëse Spahiu ka qëndrim të rregullt në shtetin gjerman.

E plotë:

Të nderuar gazetarë, Përfaqësues të mediave, Gjeni më poshtë njoftimin nga MPJD Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të z. Arbnor Fatmir Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Z. Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria. Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij. Ambasadori Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e z. Spahiu, z. Arianit Koci, do të udhëtojnë nesër, më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare. Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike te vendeve te Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani. Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë.

Lajme të ngjashme