Mospjesëmarrja e Kurtit në Tiranë për Proces të Berlinit nxit reagime në Kosovë
Kanë filluar reagimet ndaj kryeministrit, Albin Kurti për mospjesëmarrjen e tij në takimin e organizuar nga kryeministri, Edi Rama në Tiranë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit. Kurti po kritikohet se ka zgedhur një konferencë në Greqi para takimit në Tiranë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka vlerësuar si sjellje fëmijërore dhe politikisht të papërgjegjshëm, mospjesëmarrjen e kryeministrit, Albin Kurti në takimin me liderët e Ballkanin Perëndimor të organizuar nga kryeministri, Edi Rama në Tiranë.
Çitaku ka pyetur se qysh mundet me qenë më e rëndësishme një konferencë “në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?!”
Më tej, ajo ka thënë se Kurti nuk është ftuar në dasëm por në takim me liderët e rajonit.
“Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në darsëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karrshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu.” – ka shkruar ajo.
“Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karrshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Për mospjesëmarrjen e Kurti në takimin në Tiranë, ka reaguar edhe ish-zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, duke thënë se Kurtit nuk i intereson bashkëpunimi brenda shqiptar.
“Në Kretë, sipas qeverisë paska Konference perderisa në Tiranë ka një dreke, prandaj me i mençuri i kryeministave të rajonit, Albin Kurti nuk humbe kohe sikurse koleget e tij! E verteta, eshte se atij as nuk i intereson bashkepunimi brenda shqiptar as nuk i intereson integrimi europian, prandaj me lehtesi refuzon takimin e kryeministrave te Ballkanit Perendimore qe mbahet ne Tirane ne kuader te Procesit te Berlinit.” – ka shkruar ai.
Ai ka thënë edhe këto fjalë për Kurtin: “Nuk besoj, qe ka patur e mund te kete nje kryeminister kaq te papergjegjshem e kaq cinik, çfare e ka Kosova aktualisht.”
Edhe analisti i plotikës, Valon Syla, ka reaguar pasi Kurti ka refuzuar takimin e organizuar nga Rama me kryeministrat e rajonit si përgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit.
Sipas Sylës, Rama e ka ftuar Kurtin si mundësi që ky i fundit të dalë nga situata e rëndë diplomatike që është krijuar nga sanksionet.
“Edi Rama e thirrë Albin Kurtin në takime të mëdha diplomatike, me nxjerr prej lloçit dhe kënetës diplomatike që e ka kriju tu na shti në sanksione. Ndërsa, Kurti përsëri e refuzon duke i gra Kombanjës pa leje nëpër ara dhe tu ikë në Greqi, kishe ka punë ma të mençme.”
“E ka çu Besnik Bislimin, si perfaqësues (Zëvendës KM), që gjun me shishe në parlament. Natyrisht që ato sta pranojnë kryeministrat normal të kësaj bote perendimore. Se keni gat kështu.” – përfundon shkrimi i Sylës.
Kurti në Greqi
Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti e kishte njoftuar Ramën që nuk do të marrë pjesë në këtë takim për shkak se e kishte konfirmuar pjesë marrjen ne në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023.” – ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Takimi në Tiranë është organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ky takim mbahet si parapërgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit. Në takim janë të ftuar të gjithë kryeministrat e Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, në këtë takim do të jetë prezent edhe Komisioneri Evropian Oliver Varhelyi.



