Mosmiratimi i Projekt-kodit Civil mund të ndikojë në rrugën e Kosovës drejt KE-së
Në kohën kur Kosova po pretendon anëtarësimin në Këshillin e Evropës(KE), Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projekt-Kodin Civil, i cili ua garanton disa të drejta komunitetit LGBTQI+.
Avokuesit e të drejtave të njeriut kanë bërë me dije se mosmiratimi i këtij projekt-kodi mund të ndikojë në rrugëtimin e Kosovës drejt KE-së, e cila është organizata kryesore në kontinentit evropian që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Aktivisti i PSD-së, Zgjim Hyseni, ka thënë për gazetën Nacionale se refuzimi i Projekt-Kodit nga Kuvendi nuk mund të kalojë pa u vërejtur nga Këshilli i Evropës dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare. “Këshilli i Evropës e ka çështje kryesore mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ku hyjnë edhe të drejtat e komunitetit LGBTQI+. E vërtetë që kjo mund të jetë pengesë në rrugëtimin e Kosovës drejt kësaj organizate. Por, për mendimin tim çka duhet të na shqetësojë më shumë është fakti që e kemi një Kuvend, një Qeveri, që i ka mbyll sytë përball një grupi të njerëzve që janë të diskriminuar dhe të shtypur”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, Kosova nuk është aq konservatore sa është paraqitur dje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Çka vlen të përmendet është se dje ka pasë një farsë dhe një hipokrizi shumë të madhe në Kuvend. Kosova nuk është konservatore ashtu qysh janë sjell deputetët dje. Pushteti dje qëllimisht nuk i ka mbledhur votat për shkak se ka llogaritur në një lloj oportunizmi elektoral ku vota e njerëzve me një lloj bindje konservatore ose fetare e ka një peshë të caktuar. Kjo nuk vlen vetëm për pushtetin, por edhe për partitë politike që përfaqësohen në Kuvend”, është shprehur Hyseni.
Edhe Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka deklaruar se Kosova nuk mund të synojë anëtarësimin në KE derisa nuk i respekton të drejtat e njeriut sipas standardeve të larta ndërkombëtare.
Ai për gazetën Nacionale ka thënë se Republika e Kosovës është larg këtyre standardeve. “Për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës duhet të plotësohen disa standarde, ndër të cilat është respektimi i të drejtave të njeriut sipas standardeve më të larta të mundshme. Dhe Kosova është larg arritjes se këtyre standardeve. Në kwtw kod deputetwt po e refuzojnë një nen i cili e mundëson martesën nw mes tw gjinive te njëjta. Duket sa tani për tani nuk janë të gatshëm për ta votuar, ani pse besoj se shumë shpejt do ta votojnë. Mosmiratimi i këtij kodi ka qenë një lojë politike edhe e Albin Kurtit, edhe e opozitës. Në fund do të detyrohen ta votojnë”, ka thënë Shala.
Me 29 vota kundër, 28 për dhe katër abstenime dje ka dështuar që Kuvendi ta miratojë në parim Projekltkodin Civil. Ndonëse në momentin e votimit ishin 77 deputetë, 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Kritikohen deputetët për votën kundër Codit
Pas seancës, në drejtim të deputetëve që nuk e kanë votuar në lexim të parë Projekkodin Civil ka pasur shumë kritika.
Shoqëria civile dhe opinionist të ndryshëm e kanë vlerësuar si veprim të gabueshëm votën e deputetëve kundër këtij kodi.
Drejtor i Institutit për Studime të Avancuar, GAP, Agron Demi, ka thënë se në këtë mënyrë deputetët kanë shkelur betimin e tyre si përfaqësues të popullit. “Kur betohesh se si përfaqësues/e i/e popullit ke me mbrojte ‘kushtetutshmërinë...liritë dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane’, edhe voton kundër Kushtetutës, kundër lirisë së tjetrit, kundër të drejtave të njeriut dhe standardeve evropiane, atëherë e ke shkelë betimin me te dy këmbët”, ka shkruar Demi në profilin e tij në “Facebook”.
Reagime ka pasur edhe nga ambasadat e huaja në Prishtinë. Nicholas Abott, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, ka thënë se është zhgënjyer shumë pas mosmiratimit të Kodit.
“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Abbott në “Twitter”.
Komuniteti LGBTQI+ të përkrahur edhe nga shoqëria civile, sot kanë protestuar para qeverisë, duke kundërshtuar votën kundër të deputetëve ndaj këtij debati.
Kundër këtij kodi kishin votuar edhe disa deputetë të LV-së, ndonëse kryeministri Albin Kurti iu kishte bërë thirrje për ta votuar këtë dokument.