(Mos)heqja e ndalesës së mallrave serbe para 10-vjetorit të Procesit të Berlinit: Kosova i do skanerët me ‘Rreze X’ - NACIONALE

(Mos)heqja e ndalesës së mallrave serbe para 10-vjetorit të Procesit të Berlinit: Kosova i do skanerët me ‘Rreze X’

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Janë edhe rreth dy javë kohë që Kosovës i kërkohet të bëjë zgjidhje për çështjen e ndalesës së mallrave serbe – masë e ndërmarrë që nga qershori i vitit të kaluar – ose përndryshe pasojnë dëmet.

Kosova mund të humbasë përfitimet që gëzon nga Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA) për t’u pasuar me implikimet në Fondin e Rritjes së BE-së për rajonin: nga ku vendi parashihet të përfitojë rreth 900 milion euro në formë kredish të buta dhe grante.

Bllokimi i CEFTA-s nga ana e Kosovës është lidhur pa-një-pa-dy edhe me prospektin e lënies jashtë Kosovës nga Procesi i Berlinit: mundësi kjo që ka ngritur shqetësime të mëdha.

Kjo ngase aspekti ekonomik i Procesit të Berlinit është kyç për nismën rajonale që BE-në ka përbrenda: prandaj rëndësia e CEFTA-s.

Janë disa afate strikte që duhet respektuar, zhbllokimi i CEFTA-s: “...ose vazhdohet pa Kosovën”, pati thënë emisari gjerman, Manuel Sarrazin.

Në dritën e kësaj Qeveria e Kosovës del të jetë zbutur – me deklarime ditë e më shumë që japin indikacione se do të tërhiqen. Megjithatë, duket sheshazi një përllogatirje për rritje pazaresh.

Skanerë me Rreze X dhe ratifikim të marrëveshjes së lirë pa regjim vizash në kuadër të Procesit të Berlinit nga Bosnje-Hercegovina: çështje kjo e bllokuar nga entiteti serb i atij shteti.

Çështjen e skanerëve e kishte shpaluar i pari, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili bashkë me Sarrazinin kishin vizituar një kompani gjermane për prodhimin e tyre dhe mundësinë që Kosova të pajiset me to.

Kjo me arsyet, siç beson qeveria kosovare, që pas heqjes së ndalesës së mallrave serbe – për të cilën thuhet se është vendosur si masë siguriwe – kamionët e maunet që vinë nga Serbia të mund të shihen tej-më-tej përmes rrezeve iks.

Po punohet për një ujdi, dhe skanerët do të jenë pjesë e asaj ujdie”, tha një burim diplomatik rreth bisedimeve për heqjen e ndalesës së mallrave serbe dhe vijimin normal të Kosovës në samitin e dhjetë vjetorit të Procesit të Berlinit.

Me ç’kuptojmë po synohet një zgjidhje “kreative” për periudhë kalimtare ose zgjidhje afatshkrute deri në ujdinë për skanerët.

Megjithatë ende s’ka pasur pajtim të plotë për skanerët.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ditë më parë tha se “një modalitet” mund të gjendet pas pranimit të skanerëve, ndërsa tha se Dogana e Kosovës është në bisedime për tre sosh.

Por, e njëjta s’la pa sulmuar arsyetimet gjermane – prej emisarit e deri te ministrja e punëve të jashtme – duke thënë se çështja e ndalesës së mallrave serbe me Procesin e Berlinit “nuk ndërlidhen me njëra tjetrën”.

Nuk kanë qenë çështje tregtare, por çështje të sigurisë”, tha ajo.

Përkundër të gjitha jemi në pritje të skenerëve që bëjnë skanimin e kamionëve dhe mauneve që hynë në të gjitha pikat kufitare, në veçanti në veri për probleme të sigurisë dhe besoj që në afatet kohore do të gjindet modaliteti më i mirë që në momentin kur të kemi siguri të plotë se mund të aparandlohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga ana e Sebrisë mund të hiqet masa e sigurisë, që po e ritheksojë është çështje e sigurisë kombëtare”, shtonte ajo.

Hiç më larg se sot Qeveria e Kosovës i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se janë “duke punuar” që dhjetë vjetori i Procesit të Berlinit “të jetë i suksesshëm”; duke mos e konkretizuar me një “Po” ose “Jo” çështjen e ndalesave të mallrave serbe.

Lajme të ngjashme