Mosdekretimi i Kryeprokurorit: Kush e kërcënoi presidenten Osmani dhe çka thotë KPK-ja?
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV, ndër të tjera ka folur edhe për presionin që pretendohet se i janë bërë asaj Këshilli Prokurorial i Kosovës për dekretimin e Blerim Isufajt për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Ajo gjithashtu ka thënë se ka pasur edhe kërcënime. Por nga kush është kërcënuar presidentja?
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, edhe në konferencë për medie gjatë të martës por edhe në intervistë ka përmendur se ka pasur kërcënime lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.
“Ka pasur presione të tjera, njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se 2 dekada që jam në politikë presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë.” – ka thënë ajo gjatë konferencës për medie.
Ajo nuk ka dhënë emra saktësisht, por ka thënë se kërcënimet ndaj saj janë bërë nga persona brenda sistemi prokurorial të vendit.
“Nga personat që janë brenda sistemi prokurial, por dua t’i mbrojë personat që kanë dhënë informatat.” – ka thënë Osmani.
Më tej, ajo ka thënë se disa presona kanë shkuar në zyrë të saj dhe kanë ofruar dëshmi konkrete për këtë kërcënime, duke shtuar se nuk ka bërë publike detaje për shkak të mbrojtjes së sinjalizuesve.
“Arsyeja pse unë sot nuk i bëra publike detajet është për shkak se si Presidente e vendit e kam edhe detyrim moral që t’i mbroj personat të cilët kanë sinjalizuar të gjitha informatat që kanë ardhur në zyrën time me dëshmi konkrete në lidhje me këto kërcënime. Është shumë me rëndësi që njerëzit të inkurajohen edhe më tej që çkado që ata shohin si shkelje brenda gjitha institucioneve do të thoja jo vetëm sistemit të drejtësisë.” – ka thënë ajo.
Tutje, ajo e pati edhe një paralajmërim duke thënë se qëllimet nuk mund të arrihen duke e kërcënuar kreun e shtetit.
“Nuk mund të vish në tavolinën e Presidentes me qindra shkelje dhe pastaj të mendosh që mund të arrish qëllimet tua me kërcënime ndaj kreut të shtetit, në një sistem normal ku vërtetë funksionon sistemi i drejtësisë, këto gjëra fare nuk do të lejoheshin.” – ka thënë ajo.
Ndërkohë, kujtojmë se në një konferencë për medie, Osmani nuk ka pranuar që të dekretojë në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufajn.
Ajo fajin e ka hedhur te Këshilli Prokurorial i Kosovës të cilët kanë reaguar ndaj vendimit të presidentes Osmani si dhe ndaj pretendimeve të saj për presion dhe kërcënime.
“Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e KPK-së.
Ndërkohë mbetet të shihet se si do të vazhdojë ky proces, por kujtojmë se kundër zgjedhjes së Blerim Isufajt në këtë pozitë ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

