Mosdekretimi i Kryeprokurorit, KPK: Deklaratat e presidentes, ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemit prokurorial - NACIONALE

Mosdekretimi i Kryeprokurorit, KPK: Deklaratat e presidentes, ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemit prokurorial

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj veprimit të Presidentes Vjosa Osmani për të mos dekretuar Blerim Isufajn Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Në reagimin e KPK-së është thënë se ky institucion shpreh pakënaqësi të thella me ato që presidentja Osmani i ka shprehur sot në një konferencë për media.

Sipas KPK-së, shefja e shtetit sot ka vërtetuar përpjekjet sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese. Këshilli Prokurorial vlerësoi se, deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, është thënë në njoftimin e KPK-së.

Këshilli ka mohuar pretendime e Osmanit për presion dhe kërcënime.

Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”, është thënë në njoftim.

KPK-ja ka bërë me dije se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale”, thuhet në njoftim.

Më tej, KPK-ja ka thënë se shumë shpejt do të vendoset për hapat e ardhshëm.

Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Në përfundim të këtij takimi, u tha se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në fund të njoftimit.

Çka tha presidentja?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka bërë me dije se ka refuzuar dekretimin e Kryeprokurorit të ri të shtetit.

Në një konferencë për media, ajo i ka përmendur disa arsyeje se pse nuk e ka dekretuar për kryeprokuror z. Blerim Isufaj.

Osmani ka thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit ka pasur shumë vërejtje që janë evidentuar nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Vlerësimi i institucionit që drejtoj është bërë brenda mandatit tim. Ky vlerësim ka evidentuar të gjitha shkeljet që janë evidentuar më herët nga monitoruesit. Disa nga shkeljet janë: e para shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, shmangia e ankesave nga kundërkandidatët, shkelja e procedurave të reputacionit profesional, shkelje në procedurat e koncept-dokumentet, cenimi i parimit të transparencës, cenimi i parimit të barazisë, cenimi i parimit të meritokracisë, dhe e dhjeta mungesat në dokumentacionin e dorëzuar nga KPK-ja përkundër kërkesës që ta plotësojmë atë”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, këto janë bërë publike nga ata që e kanë monitoruar procesin.

Këto shkelje janë bërë publike nga organizatat monitoruese nga ambasada e Gjermanisë, Britanisë dhe BE-së. Janë vlerësuar edhe në raportin e BE-së si mungesë e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritokracisë”, ka theksuar Osmani.

Në adresimin e saj, e para e shtetit ka folur edhe për disa kërcënime.

Në një vend demokratik ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të duhej të ishin jashtë sistemit. Ato janë presione të paligjshme, që duke menduar se duke kërcënuar kreun e shtetit të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin, unë jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër”, ka vlerësuar Osmani.

Lajme të ngjashme